Ilustrim

Planet e NATO-s në Detin e Zi Shkaktojnë Debat Politik në Bullgari

Presidenti bullgar Rumen Radev ka hedhur poshtë akuzat e bëra të hënën nga Boyko Borisov – ish-kryeministër dhe lider i partisë GERB të qendrës së djathtë – se Qeveria e përkohshme në vend ka dëmtuar interesat kombëtare duke lejuar më shumë forca të NATO-s në Detin e Zi.

Duke postuar në “Facebook” të martën, presidenti refuzoi pretendimin e Borisovit se gjatë samitit të NATO-s më 15-16 shkurt, Qeveria i dha dritën e gjelbër pjesëmarrjes së Bullgarisë në një aleancë të përhershme patrullimi në Detin e Zi – një ide që Borisov e refuzoi qershorin e shkuar.

“Stërvitjet ushtarake të planifikuara nga NATO në Deti e Zi, për të cilat është rënë dakord në takimin në Varshavë në korrik 2016, nuk kanë lidhje me të ashtuquajturën flotë në Detin e Zi”, tha Radev, një ish-gjeneral i Forcave Ajrore.

Ai kujtoi se stërvitje të tilla mbahen rregullisht dhe se askush nuk i ka lejuar apo ndaluar ata.

Presidenti sugjeroi se politikanët bullgarë po spekulonin rreth patrullimit ajror të përbashkët dhe stërvitjes ushtarake me NATO-n për të marrë pikë politike përpara zgjedhjeve parlamentare të 26 marsit.

“Të gjitha forcat politike të angazhuara në zgjedhjet e ardhshme duhet të dinë se çështja e sigurisë nuk toleron paaftësi dhe duhet diskutuar me përgjegjësi të madhe”, theksoi Radev.

Pavarësisht këshillës së presidentit, argumentet mbi NATO-n me gjasa do të jenë në qendër të fushatës elektorale, ku të dyja partitë e mëdha – GERB dhe Partia Socialiste Bullgare, akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të interesave kombëtare bullgare duke u angazhuar në aleancën e Euro-Atlantikut.

Gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s javën e shkuar, një marrëveshje u arrit mbi forcimin e pozicionit ajror dhe tokësor të NATO-s në rajonin e Detit të Zi.

Dy masa shtesë të marinës u aprovuan: shtim i pranisë detare të NATO-s në Detin e Zi për trajnim të mëtejshëm, stërvitje dhe ndërgjegjësim të situatës dhe një koordinim detar për funksionimin e Forcave Detare që operojnë me forcat Aleate në zonë.

Të hënën, megjithatë, Borisov kujtoi rolin e tij në “rezistencën” ndaj pjesëmarrjes së Bullgarisë në një patrullë të përbashkët në Detin e Zi mes Rumanisë dhe Turqisë.

“Tani po përfshihemi, kishim patrullim ajror, tani kemi një flotë, anije të huaja… tani po vihemi në një situatë shumë delikate”, tha ai, duke përmendur ëndrrën e tij për të parë vetëm varka lundrimi, jahte dhe një gazsjellës në Detin e Zi.

Megjithatë ai u kritikua për ndryshim pozicioni nga liderja e BSP-së, Korneliya Ninova, e cila shtoi se ajo ishte kundër përdorimit të Detit të Zi si një pikë sulmi nga NATO.

Mosmarrëveshjet në lidhje me rolin e Bullgarisë në operacionet e NATO-s e detyruan Ministrinë e Mbrojtjes të martën t’i kujtojë publikut se të gjitha veprimet e fundit të Bullgarisë janë rezultat i marrëveshjeve të arritura gjatë samitit të NATO-s në Varshavë në vitin 2016 nën Qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga Borisov.

Një zëdhënëse e Ministrisë konfirmoi për BIRN se Bullgaria nuk kishte bërë asnjë angazhim për të marrë pjesë në një flotë të përhershëm të Detit të Zi.

Ajo shpjegoi se marina do të marrë pjesë në disa stërvitje në Detin e Zi, së bashku me vendet e tjera të NATO-s, ndërsa për vitin 2017 vendi nuk kishte plane të stërvitjeve të rëndësishme detare ndërkombëtare.