Plan Sigurie për Gjykimin e Ivanoviqit

Politikani serb i Kosovës dhe katër të tjerët akuzohen për krime të kryera kundër shqiptarëve në vitet 1999 dhe 2000, ndërsa vendimi për këtë gjykim pritet të merret nesër.

Për ta siguruar mbarëvajtjen e seancës së nesërme, Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ sigurie.

Lajmin për këtë plan e bëri të ditur kur foli për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i policisë kosovare në Veri, Besim Hoti.

“Kemi hartuar një plan operativ i cili do të përcjellë të gjithë rrjedhën e gjykimit dhe do të sigurojë mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij gjykimi, i cili do të mbahet ditën e enjte në objektin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri,” tha Hoti.

Bashkë me Ivanoviqin në këtë proces gjyqësor po gjykohen edhe Dragolub Delibashiq, Ilia Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Lazoviq.

Ivanoviq është një ish-zyrtar i qeverisë serbe dhe kreu i partisë së serbëve të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi.

Ai akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ivanoviq akuzohet gjithashtu, bashkë me Dragolub Delibashiqin për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq, gjithashtu po përballen me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.