Foto: Kallxo.com

I Plagosuri në Komoran, Vëllai i Rexhep Selimit

Në incidentin e sotëm në Komoran të Drenasit ka mbetur i plagosur vëllai i deputetit Rexhep Selimi, Islam Selimi.

Gazetarët e KALLXO.com e kanë parë Selimin tek del nga QKUK ku ai ka marrë tretmanin mjekësor dhe më pas ka vazhduar në një makinë të policisë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, nuk është përgjigjur në kërkesën për të komentuar. Ai në një mesazh telefonik ka thënë se ndodhet jashtë vendit ndërsa në mesazhin tjetër nuk ka kthyer përgjigje. KALLXO.com raportoi edhe më herët për incidentin në Drenas.

“Rreth orës 20:00 e kemi pranuar informacionin për një plagosje me armë zjarri. Rasti ka ndodhur ne Komoran”, tha për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë së kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ajo tha se i plagosuri ka inicialet I.S., i lindur në vitin 1964.

“I plagosuri është transportuar për tretman mjekësor në QKUK ndërsa i dyshuari Xh.N. (1962) është arrestuar nga Policia’, tha Ahmeti.

 

Mjekët në QKUK nuk kanë pranuar të komentojnë për incidentin dhe natyrën e lëndimeve të personit të lënduar me arsyetimin se kjo është një çështje shumë senzitive. Njëri nga prokurorët kujdestarë i cili është duke u marrë me rastin ka konfirmuar për KALLXO.com incidentin por pa pranuar të flasë për motivet e plagosjes.