Brenda spitalit në Pejë | Foto: KALLXO.com

Plagoset në Pejë Shtetasi i Shqipërisë

Një person ka ardhur i plagosur nga armë zjarri në Spitalin Regjional të Pejës.

Plagosjen për KALLXO.com e konfirmoi mjeku kujdestar në këtë spital Besnik Ibraj.

“Pacienti ka ardhur i plagosur me armë zjarri në regjionin e krahut të djathtë dhe regjionin e barkut,” tha Ibraj.

Ai tregoi se i plagosuri do të operohet për t’ia hequr një plumb.

“Janë bërë ekzaminimet e nevojshme radiologjike dhe laboratorike dhe tani po hyjmë në sallë për t’ia hequr plumbin i cili vërehet në regjionin e barkut,” sqaroi Ibraj.

KALLXO.com mësoi se i plagosuri dhe një person tjetër ndodheshin në një veturë kur u qëlluan. Personi tjetër që ishte me të plagosurin, sipas mjekut Ibraj, ka pësuar lëndime të lehta nga xhamat e thyer të makinës pas goditjes së saj nga predhat.

Mjeku kujdestar Besnik Ibraj tregoi se i plagosuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë, ndërsa gjendja e tij aktualisht është stabile.

Plagosjen e para pak çastesh në Pejë e konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj, pa dhënë detaje të mëtutjeshme.

Të shtënat që qëlluan makinën kanë ardhur nga drejtimi i parkut “Karagaçi”, ndërsa policia e ka bllokuar aktualisht një rrugë pranë këtij parku.