Publikimi i raportit për barazi gjinore | Foto: KALLXO.com

Pjesëmarrje e Vogël e Grave në Stafin Akademik

Agjencia për Barazi Gjinore që funksionin në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka publikuar sot raportin e vlerësimit për zbatimin e programit për barazi gjinore gjatë viteve 2008-2013.

Sipas këtij raporti përfaqësimi i grave në stafin akademik është ende i vogël. Në këtë raport gjithashtu është thënë se për stereotipet gjinore në tekstet shkollore nuk është punuar pothuajse asgjë.

Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa gjatë fjalës së tij tha se gratë shqiptare kanë luftuar me shekujt për të drejtat e tyre.

“Barazia gjinore është një proces afatgjatë i cili kërkon vëmendjen e të gjithëve, kërkon investime adekuate,  kërkon po ashtu edhe punë të përhershme në mënyrë që të sigurohen rezultate të përhershme dhe të qëndrueshme”, tha në mes tjerash kreu i Qeverisë, Isa Mustafa.

Ndërsa Ardiana Gashi nga konzorciumi Niras-Sida ka prezantuar raportin në detaje, ku sipas saj ky program ka synuar që t’u mundësojë grave të kontribuojnë dhe të të përfitojnë nga puna e tyre.

“Ky program ka synuar që t’i njohë të drejtat e grave, t’u ofrojë të gjitha grave mundësinë të kontribuojnë, por në anën tjetër t’i vjelin rezultatet nga puna e tyre. Ky program gjithashtu ka synuar që të rrisë qasjen e grave në arsim cilësor, të përmirësojë shëndetin e grave, të mundësojë fuqizimin e grave, të përmirësoje indikatorët e tregut të punës, të përmirësojë situatën ekonomike të grave dhe të vajzave në Kosovë, si dhe të sigurojë pjesëmarrje të barabartë të grave në pozita vendimmarrëse”, tha Gashi.

Sipas saj pjesëmarrja e grave në stafin akademik është e vogël dhe se kjo është një sfidë që duhet tejkaluar.

“Pjesëmarrja e grave në stafin akademik, përkundër lëvizjeve të vogla, mbetët ende sfidë, dominojnë meshkujt në stafin akademik si dhe prania e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore dhe për të cilën punë nuk është bërë pothuajse asgjë gjatë gjithë kësaj periudhe kohore”, tha në mes tjerash Gashi.

Ajo ka thënë se ka lajme të mira sa i përket fushës së shëndetësisë. Sipas saj ka rënie të mortalitetit të foshnjave si dhe ka rritje të diagnositifikimi të kancerit të gjirit.

“Plani për barazi gjinore ka arritur të rrisë cilësinë e shërbimeve që u ofrohen të mbijetuarve nga dhuna në familje”, tha Gashi.

Ndërsa kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi përkushtimin e agjencisë që ajo  drejton për përmbushjen e obligimeve ligjore.

“Kemi identifikuar sfidat të cilat na pengojnë në rrugën e arritjes së barazisë gjinore si dhe rezultatet të cilat na inkurajojnë për nisma të reja, politika të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërinstitucional”, theksoi Gusia.

Publikimi i raportit u bë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, për të cilën gratë morën urime institucionale.

http://kallxo.com/lideret-dhe-eulex-urojne-grate-per-8-mars/

Një artikull i publikuar sot në KALLXO.com tregoi se shumica e grave në moshë të punës nuk janë aktive në tregun kosovar të punës.

http://kallxo.com/ne-shifra-grate-e-kosoves-ne-tregun-e-punes/