Konferenca pas takimit të tretë të Këshillit për Stabilizim-Asociim | Foto: KALLXO.com

Picula: Ka Shumë Sfida deri në Qëllimin Final

Pasi përfunduan punimet dyditore, bashkëkryesuesit e takimit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Tonino Piculas dhe Xhavit Haliti, dolën në konferencë për media.

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian dhe nënkryetari i Kuvendit Kosovës paraqitën bilancin e takimit të tretë të përbashkët të këtij komisioni.

“Kosova e meriton të ardhmen europiane, por ka shumë sfida dhe vështirësi mes dëshirave tona, gjendjes aktuale dhe qëllimit final”, tha Picula.

Deputeti europian tha se kanë ardhur në Kosovë për të parë punën e për të orientuar Kosovën drejt BE-së, por shtoi se Kosova nuk i ka vetëm dy kushte deri në liberalizimin e vizave.

“Dhe më besoni, se nuk janë vetëm dy kritere, por është një pamje e përgjithshme e asaj se si një shtet kandidat potencial, është duke i përmbushur detyrat e tij dhe nuk është e lehtë”, tha ai.

Në pyetjen se a ka folur me liderët politikë edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, ai tha se kjo temë është diskutuar me ta.

“Kishte një ndarje rreth kësaj teme. Disa thanë që duhet të ndodhin zgjedhjet e parakohshme e disa thanë që nuk ka arsye për të njëjtat. Qëndrimet ishin të ndara” sqaroi Picula.

Në ditën e parë të punimeve të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë të enjten, ai përmendi gjasat e zgjedhjeve të parakohshme.

http://kallxo.com/apostolova-kerkon-fokusim-ne-zbatim-te-msa-se/

Ndërsa orientimin e Kosovës drejt BE-së e rikonfirmoi Xhavit Haliti, i cili tha se pret rezultat nga puna e bërë në këto dy ditë.

“Diskutuam tema të rëndësishme për perspektivën tonë europiane. Shpresoj që të arriturat e këtij takimi kanë me i parapri nifar forme edhe të arriturave që presim, si liberalizimi i vizave dhe besoj që deklarata e miratuar me rekomandime nuk do të hasë në vesh të shurdhër në BE”, tha ai.

Komisionet e përbashkëta Parlamentare për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, në fund të punimeve dy-ditore, miratuan një deklaratë të përbashkët me 30 pika, nga e cila dalin detyrimet e ndërsjella deri në takimin e radhës.