Ushtrimet në piano

Pianistët Mësojnë si t’i Tejkalojnë Lëndimet

Në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë po mbahet seminari i teknikës “Taubman” i cili ka për qëllim t’u ndihmojë pianistëve t’i tejkalojnë problemet fizike gjatë interpretimit me këtë instrument.

Sipas pianistit dhe profesorit Agron Shujaku teknika “Taubman” është metodë përmes së cilës pianisti ndihet rehat gjatë performancës edhe nëse mund të ketë probleme fizike.

“Kjo është një metodë pianistike e cila i ndihmon pianistët që me i tejkalu lëndimet ose problemet fizike gjatë interpretimit me instrument. Është mënyrë e shëndetshme që efikasiteti me qenë maksimal ndërsa angazhimi minimal,” tha Agron Shujaku për KALLXO.com.

Ndryshe nga seminarët tjerë që zgjasnin vetëm një ditë, ky i sivjetmi  do të zhvillohet vetëm në Shkollën “Prenk Jakova” në gjashtë ditë të ndryshme gjatë muajit shkurt.

“Në këtë projekt ky seminar do të mbahet vetëm në shkollë, por ka pjesëmarrës edhe prej qyteteve të tjera të cilët janë paraqitur për këtë seminar… Kjo është hera e tretë që është duke u zhvilluar ky projekt. Për dallim prej viteve të kalune ky është formë seminari apo ëorkshop-i i cili zgjat më shumë për 6 ditë gjatë muajit. Derisa ato dy projektet tjerat kanë qenë njëditore dhe kanë qenë në lokacionet…qytetet e Kosovës”, sqaroi Shujaku.

piano1

Ai tregoi se ka shtuar ditët e trajnimit ngase për një ditë të interesuarit nuk mund të përvetësonin plotësisht teknikat e metodës “Taubman”.

“Arsyeja kryesore pse kam mendu me provu në këtë formë është që prej përvojës së kalume kam vrejt që një ditë e ëorkshop-it në këtë metodë nuk është e mjaftueshme për absorbimin  e krejt elementeve të cilat janë të nevojshme për m’i inkorporu këto lëvizjet e shëndetshme gjatë luajtjes së pianos”, tha profesori Shujaku.

Mësimet e metodës “Taubman” do të mbahen çdo të martë dhe të premte më fillim në orën 16:00 me 20 pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme.

Seminari do të zgjasë tri javë dhe në shenjë përfundimi do të organizohet një koncert ku do të performojnë studentët që kanë qenë më aktivë.

“Seminari do të mbahet për tri javë rresht do të thotë gjashtë ditë të shpërnadra gjatë tri javëve të ardhshme dhe do të thotë gjatë muajit shkurt edhe mendohet në fund, dikur mbas përfundimit të ktyne ditëve të seminarit mu organizu një koncert i përbashkët me pjesëmarrësit si shenjë e përfundimit të projektit”, tregoi profesori dhe pianisti Shujaku.

Metoda “Taubman” rrjedh nga kurioziteti i profesoreshës Taubman për të ditur se pse disa studentë përparojnë më shpejt, e disa më ngadalë në piano, pavarësisht përgatitjeve të tyre në shtëpi.

“Historia e metodës apo teknikës Taubman rrejdh prej Dorothy Taubman që ka qenë pedagoge e pianos e cila këtë metodë rreth tridhjetë vjet aktivisht e ka promovu në Amerikë. Ajo gjithmonë ia ka bë pyetjen vetit pse disa përparojnë më shpejt, pse disa përparojnë më ngadalë, edhe ka ardhë në disa përfundime logjike se ata që përparojnë më lehtë në mënyrë spontane i bëjnë disa lëvizje më ndryshe se tjerët”, deklaroi Shujaku.

Në janar të këtij viti KALLXO.com xhiroi me kamerat 360 shkallë koncertin në piano të studentëve të profesoreshës Valbona Petrovci që u shfaq si pjesës e programit të fundit të semestrit.

http://kallxo.com/kallxo-360-koncerti-studenteve-te-pianos/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri