Peticion Kundër Shtrenjtimit të Rrymës

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ka filluar nismën legjislative në nëntë komunat e Kosovës për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve për ta rrëzuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës.

Prishtina, Mitrovica, Peja, Prizreni, Gjakova, Ferizaj,Obiliqi,dhe Klina janë komunat në të cilat ka filluar nënshkrimi i peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Me anë të këtij peticioni organizatorët dhe nënshkruesit kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që përmes një rezolute të anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që më 29 gusht shtrenjtoi rrymën për 5.18 për qind.

Kërkohet po ashtu të amendamentohet Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku do të largohej TVSh-ja prej 16 për qind nga fatura e energjisë elektrike.

“Kuvendi i Kosovës të anulojë vendimin e vet dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për rentën prej 3 eurove për ton qymyri të shfrytëzuar”, thotë kërkesa tjetër.

Po ashtu peticioni kërkon të amendamentohet Ligji për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, i cili obligon ZRrE-në të ndryshojë rregullat për vendosjen e çmimeve.

Në fund me këtë peticion i kërkohet Kuvendit të Kosovës të shkarkojë anëtarët e Bordit të ZRrE-së për arsye të siç thuhet aty, shkeljeve etike dhe ligjore.

Sipas Visar Azemit, përfaqësuesit të nismës nga KOSID-i, të gjitha nismat e deritanishme të cilat i janë drejtuar ZRrE-së nuk janë marrë parasysh, prandaj edhe është paraqitur nevoja për hapa të mëtutjeshëm.

Ai paralajmëroi edhe hapa të tjerë në rast se peticioni nuk sjell ndryshime.

“Ne do të vazhdojmë më pas me hapa të tjerë, me protesta si dhe me thirrje për bojkot të pagesës së energjisë elektrike“, tha Azemi.

Sipas tij ky konsorcium do t’i ndjekë të gjitha anët ligjore duke përfshirë ankimimin në gjykatat themelore potencialisht edhe ne Gjykatën Kushtetuese , por në fillim sipas tij peticioni do t’i dërgohet Presidentes dhe Kuvendit.

Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativa Qytetare tha se deri pasdite rreth 4.000 mijë qytetarë në nëntë komuna të Kosovës janë nënshkruar në peticionin kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike.

“Shpresojmë që Kuvendi do ta anulojë vendimin e ZRrE-së të datës 29 gusht”, tha Kushtrim Puka.

Edhe qytetarët të cilët e nënshkruan peticionin shpresojnë të merret parasysh ky nënshkrim.

“Ma merr mendja që ka me pasë sukses. Është hera e parë që po i shoh këtu dhe duke u bazu në pagat që i marrim kish me qenë mirë me pasë zvogëlim të çmimit të rrymës”, tha Njomza Dugolli.

Ndërsa Maliq Mushaku thotë se avaria në Termocentralin “Kosova A” nuk duhet t’u faturohet qytetarëve të Kosovës.

“Realisht në çdo ekonomi familjare, qoftë ajo e varfër, e mesme apo e pasur, kjo ndikon negativisht, meqenëse rritja e çmimit të energjisë elektrike është e pabazë“, u shpreh ai .

Ky peticion është organizuar nga afro 70 subjekte joqeveritare dhe sindikale dhe do të vazhdojë deri në fund të javës.