Petersen Ngushëllon Popullin e Kosovës për Vdekjen e Rexhepit

Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, i ka dërguar një telegram kryeministrit Isa Mustafa, duke i shprehur ngushëllime Qeverisë, popullit të Kosovës dhe familjes Rexhepi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Në telegram, Jessen-Petersen ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit, duke vlerësuar lartë cilësitë njerëzore dhe politike të tij.

Zyra e kryeministrit ka publikuar të plotë letrën e ish-përfaqësuesit special të OKB-së në Kosovë.

“I dashur Kryeministër,

Me pikëllim të thellë mësova se miku im Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta.

Bajrami ishte kryeministri i parë me të cilin kam punuar si përfaqësues special në Kosovë. Kam kujtime të mira gjatë punës me një njeri dhe politikan aq të mirë, të përkushtuar dhe dashamirës. Vdekja e tij është humbje për Kosovën, për familjen dhe miqtë e tij. Dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, përmes jush, për Qeverinë dhe popullin e Kosovës si dhe për Familjen Rexhepi”.

Ndryshe, ish-kryeministri Rexhepi ka vdekur të hënën në një spital në Turqi, ku ishte shtrirë pas një sulmi në tru, të pësuar në muajin prill të këtij viti.

Bajram Rexhepi është varrosur dje me nderime të larta shtetërore.