Peterle Rekomandon Reformë për Financat e Partive Gjatë Zgjedhjeve

Në prezantimin e raportit përfundimtar të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve është rekomanduar reformë e gjerë në legjislacionin e financimit të partive politike.

Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle, ka thënë se ka të meta në mbikëqyrjen e financave të partive politike.

“Ka nevojë për rishikimin e kornizës ligjore në mënyrë që të adresohen të metat siç janë politikat efektive që i ndajnë llogaritë bankare apo financimin bankar dhe që të rritet kapaciteti i/e organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e financimit të fushatës”, tha Peterle.

Shefi i misionit vëzhgues të BE-së theksoi se Kuvendi i Kosovës ka dështuar në caktimin e auditorëve të pavarur që do të raportonin për financimin e fushatave të partive politike.

Ndërkaq, ky rekomandim përmendet edhe në raport.

“Të bëhet një rishikim gjithëpërfshirës i kornizës ligjore për financimin e fushatës, brenda formatit të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Europës”, thuhet në raport duke iu referuar ndryshimit të Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Ndërsa, rekomandimi i parë i këtij raporti është zbatimi i efektshëm i së drejtës për t’u kandiduar.

Ky rekomandim i referohet vendimit të Gjykatës Supreme për të anuluar decertifikimin e kandidatëve bazuar në Kushtetutë.

http://kallxo.com/supremja-kqz-ja-nuk-e-ka-te-drejten-e-decertifikimit/

Vendimi i publikuar për herë të parë nga KALLXO.com, tregonte se vetëm vendimi i gjykatës mund t’ia heqë një qytetari të drejtën për t’u zgjedhur.

Për këtë pikë, raporti rekomandon ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet nëpërmjet bashkëpunimit në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kuvendit.

Në mes të 20 rekomandimeve për institucionet kosovare përmendet edhe ofrimi i qartësisë ligjore rreth afateve për ankesa dhe parashtresa, përmirësimi i resurseve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve zgjedhore, ndërmarrja e masave nga ana e partive poltike për rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe sqarimi i pjesëmarrjes së të miturve në Ligjin për Zgjedhjet.

KALLXO.com ka shkruar për gjetjet e Misionit të BE-së në zgjedhjet e monitoruara prej tyre.

http://kallxo.com/peterle-shpreson-se-nuk-te-kete-zgjedhje-te-tjera-se-shpejti/

http://kallxo.com/peterle-zgjedhjet-e-22-tetorit-te-mira-se-ato-te-2013-tes/