Nga një seancë e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Pesë Propozimet e Vetëvendosjes për Ajër të Pastër

Në debatin që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës rreth ndotjes së ajrit, deputeti Dardan Sejdiu, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi 5 politika konkrete për ta luftuar këtë problem:

  1. Dyfishim i kapaciteteve të kogjenerimit, që nënkupton investim prej 24 milionë eurosh.
  2. Në komunat ku kemi këtë cilësi të ajrit duhet të shikohen me urgjencë mundësitë për subvencionim të qytetarëve, që të lëvizim nga ngrohja me thëngjill në ngrohje që nuk e ndotë ajrin.
  3. 28 shtetet anëtare të BE-s, nëse secili bënë donacion nga 2 autobusë, do të bënte flotë të re prej 56 autobusëve që do të zgjidhte problemin në tri komuna. Pra donatorëve u kërkojmë ndihmë.
  4. Në strategjinë e re të energjisë që t’u kërkojmë investitorëve me energji të ripërtërishme, nga era, ngase potenciali për prodhim të energjisë nga era në Kosovë është i madh.
  5. Në shumë qytete të BE-së janë vendosur drunj artificialë inteligjent që bëjnë pastrimin e ajrit. Kërkoj që Qeveria me procedurë të përshpejtuar të bëjë blerjen e kësaj mobikerue urbane, që do të mund t’i zëvendësonin billbordat në Prishtinë.

Këto janë propozime që do të mund të zgjidhnin problemin në periudhë afatmesme, tha Sejdiu.

Në seancë janë 68 deputetë.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit. Seanca është iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.

Dje, në mbledhjen e Kryesisë, Veseli tha se debati duhet të përfundojë me obligimin për të hartuar një strategji nacionale për  këtë çështje, e cila do të do të ofronte zgjidhje afatgjate dhe do të evitonte përsëritje të situatave të tilla.