Pesë Mijë Euro për Lirimin e të Kërkuarit nga Turqia

Pesë mijë euro është dorëzania që është ofruar për lirim nga paraburgimi për Ugur Toksoyn , të arrestuarin në Kosovë i cili është shpallur në kërkim nga Republika e Turqisë.

Ugur Toksoy,  i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ai dyshohet të ketë lidhje me lëvizjen opozitare turke të drejtuar nga Fetullah Gulen që jeton në ekzil në SHBA dhe për të cilin autoritetet turke gjithashtu kanë lëshuar fletarrest.

Avokati mbrojtës i Toksoyt , Adem Vokshi tregoi për KALLXO.com për marrëveshjen me prokurorin e rastit për t’ia mundësuar të dyshuarit, mbrojtjen në liri.

“Ne me pëlqimin e prokurorit kemi ofruar 5 mijë euro, dhe nesër pritet të merret vendimi nga gjykata dhe besojmë që do të lirohet, 99 përqind”,, tha Vokshi për KALLXO.com

Në një intervistë paraprake, Vokshi ishte deklaruar kundër ekstradimit të të mbrojturit të tij sepse sipas tij do të ishte nënshtrim nën presionin e Turqisë.

“Ne përditë po shikojmë në mjete të informimit se çfarë po ndodh me krejt atë popullatën turke e cila nuk është me bindje të njëjtë sikurse Qeveria. Arsyeja pse unë konsideroj se caktimi i paraburgimit nuk ka pasë kurrfarë baze juridike e aq ma pak ka bazë juridike ekstradimi i Ugur Toksoy në Turqi”, tha Vokshi.

Kundër ekstradimit të Toksoyt u deklarua edhe Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirivie të Njeriut.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, thotë se ky është arrestim politik për një vepër që i akuzuari nuk e ka bërë.

“Është një qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit. Kosova mendoj që nuk duhet të zbatojë urdhrat e Erdoganit. Natyrisht që Kosova ka obligim ekstradimin e personave të caktuar, mirëpo në rastin konkret është një kërkesë eksplicite e Erdoganit për të gjithë ata që kanë qenë në anën e Gylenit që të arrestohen dhe t’i dërgohen dhe në këtë kontekst ne e kemi kundërshtuar këtë arrestim se mendojmë që është politik më shumë se që ka vepër penale”, tha Shala për KALLXO.com.

http://kallxo.com/ekskluzive-flet-avokati-te-kerkuarit-nga-turqia/

 

 

www.kallxo.com