Dëmet nga bora dhe era e fuqishme në Istog

Pesë Fshatra të Istogut në Terr Pesëditor

Disa fshatra të komunës së Istogut që disa ditë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e dëmtimit të shtyllave elektrike nga era e fuqishme e para disa ditëve. Reshjet e borës të shoqëruar me erë të fuqishme kanë dëmtuar rreth 120 shtylla elektrike në këtë komunë.

Nga 6 janari i këtij viti kanë mbetur pa energji elektrike disa fshatra të Komunës së Istogut.

Fshatra Rakosh, Kërrninë, Orroberd e Veriq të Istogut qe 5 ditë nuk kanë fare energji elektrike si pasojë e dëmtimit të rrjetit elektrike nga fryrja e erës  së fuqishme bashkë me reshjet e borës para disa ditëve.

Lajmin për mungesën e energjisë elektrike në disa fshatra dhe dëmtimin e rrjetit elektrik e ka  konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e komunës së Istogut, Jeta Balaj.

“Fshatrat Rakosh, Kërninë dhe Orroberd qe disa ditë kanë mbetur krejtësisht pa energji elektrike. Era e fuqishme që ka fryrë ka dëmtuar shtyllat e rrjetit elektrik dhe fshatrat kanë mbetur pa energji elektike,” tha Balaj për KALLXO.com.

Ajo tha se era e fuqishme që ka fryrë ditëve të fundit bashkë me reshjet e borës kanë dëmtuar mbi 120 shtylla elektrike në këtë komunë.

http://kallxo.com/bora-e-era-shkaktojne-kaos-ne-istog/

I kontaktuar nga KALLXO.com banori i fshatit Veriq, Vesel Boletini tha se që 5 ditë përveç mungesës së rrymës në fshatin e tij kanë mbetur edhe pa ujë.

“Qe 5 ditë nuk  kemi rrymë as ujë në fshatin tonë. Janë prishë shumë gjëra në mungesë të rrymës edhe ujit te banorët, janë ngrirë edhe gypat e ujit, shumë vështirë po e kemi,” tha banori fshatit Veriq.

Kurse në shumicën e fshatrave të kësaj komune thuhet së ka reduktime të gjata të rrymës elektrike.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktori Buzhalën, por ai deri me tani ai nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.