'Diaspora Flet'

Përvoja Mërgimtarësh, nga Kamboxha në Austri

Ganimete Bajraktari është njëra nga pjesëtaret e diasporës që ka qenë pjesë e këtij diskutimi ka lindur ne Malësi të Vogël të komunës së Rahovecit. Në vitet e 90-ta është shpërngulur në shtetin e Austrisë dhe poashtu atje ka studiuar për defektologe.

Ajo tha se qëllimi i jetës së saj është që të jetë aty ku është nevoja e pse jo edhe në vendlindje.

“5 vitet e fundit jam shumë e lidhur me Kosovën, gjatë shkollimit dhe aftësimit profesional e kam pasë në mendje si të jem afër vendlindjes time. Ne si mërgatë jemi kudo dhe jemi për këdo, por jo me atë që nuk e qon procesin e shtetit tonë përpara”, tha Bajraktari.

Orhidea Rama, është vetëm 20 vjeç dhe jeton në Kamboxha, shtet që ndodhet në Azinë Juglindore. Ajo tregoi që gjatë luftës së Kosovës ajo ka qenë vetëm 8 muaj dhe nuk e mban mirë atë kohë. Si 6 vjeçare ajo është larguar nga Kosova. Sa i përket përvojës së saj Orhidea tregoi që punon me 36 fëmijë me Sindromën Down.

“Asnjëherë nuk ndin dhimbje për personat me aftësi të kufizuara derisa mirresh me ta. Kur e kam kry shkollën fillore kam fillu me u marrë me fëmijët me Sindromën Down”, rrëfeu Rama.

Orhidea tregoi edhe historinë e Kamboxhas, vend i cili ka përjetuar luftë për 48 vite me Kimerët e Kuq. Duke qenë si nxënësja e vetme e racës së bardhë në klasën e saj Orhidea rrëfen që kishte raste kur të tjerët vinin të bënin foto me të.

Ganimete Bajraktari vazhdoi të tregojë historinë e saj të migrimit në Austri dhe vështirësitë e saj në integrimin e shoqërisë austriake.

“Për neve ka qenë si strehim, integrimi ka qenë shumë i vështirë, e ke marrë atë punë që të është dhënë. Gjuhën nuk e kemi ditë, prej luftës kemi shku me një çantë. Fëmijën e lija, natën shkojsha e msojsha gjuhën e ditën punojsha”, shpjegon Ganimetja sakrificat e saj.

E nga ana tjetër edhe Orhidea foli për vështirësitë e saj në socializimin në shoqërinë e Kamboxhas.

“Me shku në Kamboxhë, 28 orë fluturim, kam shku në moshën 12 vjeçare në Kamboxhë, ka qenë puna e gjuhës, puna e shoqërisë”, përfundoi Rama.

Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për mundësitë dhe vështirësitë e të rinjve në Kosovë. Orhidea tha që të rinjtë në Kosovë i kanë kushtet por nuk dinë t’i shfrytëzojnë mirë ato.

“Nuk kisha me thënë që Kosova nuk i ka kushtet për të rinjtë, kisha me thënë që të rinjtë e Kosovës nuk dinë me i shfrytëzu ato që i ofrohen. Duhet me ditë që na kemi dalë prej një situate të luftës. Kamboxha ka 40 vite që ka dalë prej luftë edhe ende ka probleme”, tha Orhidea Rama.

Një problem tjetër të cilën ajo e potencoi sa i përket të rinjëve të Kosovës është kultura e leximit. Duke treguar eksperiencën e saj kur kishte vizituar Biblotekën Kombëtare të Kosovës dhe kishte parë duke lexuar vetëm katër persona.

“Nuk kemi kulturë leximi. Si popull jemi të varfër për lexim”, nënvizoi e reja nga Kamboxha.

Kurse Ganimete Bajraktari tha që në Kosovë mungojnë shkollat profesionale.

“Praktika si praktikë është shumë e mangët në Kosovë”, u shpreh ajo.

Arritja e përkrahjes institucionale për projekte të ndryshme ishte tema tjetër për të cilën u diskutua. E Ganimete Bajraktari tregon që edhe sigurimi i kësaj përkrahje është shumë i vështirë. Ajo rrëfeu për eksperiencën e saj personale për një projekt të rrobaqepësisë në fshatin e saj, në Malësinë e Vogël të Rahovecit. Për këtë projekt tha se pati shumë vështirësi në sigurimin e përkrahjes institucionale por që me këmbëngulje e arriti.

“Rasti i fundit me kursin e rrobaqësisë në fshatin tim, arrita përkrahje prej institucioneve, por shumë e vështirë”, shtoi Bajraktari.

Kurse Orhidea nga ana tjetër tha se Kosova nuk mund të bëhet shtet normal përderisa nuk funksionon demokracia.

“Nuk është demokraci për veti, është totalisht gabim. Secili që është në pozita politike, është e rrallë që një person nuk i ka 6 e 7 persona në punët shtetërore”, tha ajo.

Ajo theksoi se ta marrësh rrugën e gurbetit nuk është e lehtë qysh po mendojnë të rinjtë e Kosovës.

Orhidea tha se në të ardhmen do të kthehet në Kosovë për të hapur një shkollë për personat me aftësi të kufizuara.

“Unë nuk kthehna në Kosovë përderisa nuk e kam një pjesë financiare për me kontribu për Kosovën. Asnjëherë masi ta kry mandatin nuk mendoj me nejt në Kamboxhë. Kur ta kry mandatin kam me u kthy në Kosovë e kam me hap një shkollë për personat me aftësi të kufizuara. Kam me sjellë IB diplomë që ata me pas ma të lehtë jashtë se sa e kanë sot”, tha shqiptarja nga Kamboxha.

Kurse Ganimetja tha se po të kishte mundësi çdo të ri të Kosovës do ta merrte në Austri që të provonte këtë eksperiencë.

“Me mujt që të rinjtë që shkollohen atje me pru përvojën këtu. Me dëshirë edhe me vullnet të madh e kisha marrë secilin të ri nja 1 vjet atje edhe i kisha kthy prapë këtu”, tha ajo.

Kurse për organizimin e diasporës kosovare, Ganimete Bajraktari tha se mungon bashkëpunimi.

“Neve na mungon edhe bashkimi i mërgatës, ne si individë bëjmë shumë por si grup nuk bëjmë shumë, këtë mundësi nuk na jep vendi”, përfundoi ajo.

Seria e takimeve “Diaspora Flet” e organizuar nga organizata jo-qeveritare ‘Germin’ ka fillu me të rinjtë dhe diasporën e Suharekës por në ditët në vazhdim do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës. Gjatë muajve korrik dhe gusht takimet do të mbahen në Gjilan, Kamenicë, Prizren, Pejë, Junik, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë.

Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondacion ‘Friedrich Ebert’ (FES), zyra në Prishtinë.

KALLXO.com e ka transmetuar drejtpërdrejt këtë diskutim përmes profilit në Facebook.