Foto: Kallxo.com

Përurohet Salla e ‘Sherrit’ e ShKA ‘Agimi’

Të enjten në orët e mbrëmjes është bërë përurimi i sallës së rinovuar të korit dhe orkestrës të SHKA “Agimi”.

Me rastin e përurimit të sallës, Xhemal Kabashi prezantoi para të pranishmëve vendimin e Ministrisë së Administratës Publike, me të cilën i është aprovuar kërkesa për ndryshimin e të dhënave të OJQ-së “Shoqëria Kulturore Artistike Agimi” ku ai (Xhemal Kabashit) njihet si  përfaqësues i autorizuar i organizatës- kryetar.

NDËRLIDHUR

Para të pranishmëve u prezantuan emrat e kryesisë së shoqërisë që janë: Xhemal Kabashi, kryetar, Festim Bytyqi, nënkryetar, Bujar Spahiu, sekretar, Gëzim Sertolli, arkatar, ndërsa Rahmi Ymeri, Laura Lekaj, Dafina Morina, Besnik Bobaj e Anda Gjini anëtarë.

Aty mungojnë emrat e grupit tjetër të artistëve.

Grupi tjetër ka bërë thirrje për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor për datën 20 maj 2017 ku do të diskutohen dhe votohen dokumentet e brendshme dhe do të zgjidhen organet e brendshme të ShKA “Agimi”, për shkak se ky grup e konteston kryesinë e vjetër të “Agimit”.

Para të pranishmëve, kryetari Kabashi kërkoi falje për gjithë ato shqetësime që u janë bërë anëtarëve të “Agimit” lidhur me dhënien e sallës me qira. Ai tha se është respektuar vullneti i anëtarëve dhe salla sërish i është kthyer gjendjes së mëparshme, mandej është në gjendje edhe më të mirë. Në të janë investuar rreth 7 mijë euro, që kanë ardhur si donacion nga Restoranti “Syla”.

Kabashi, njoftoi se kanë bërë ftesë publike përmes mediumeve për tri javë rresht për të gjithë të interesuarit dhe anëtarë të rinj të organizatës të cilët janë të interesuar të anëtarësohen dhe ta japin kontributin e tyre në organizatë, gjë e cila tha që edhe ka ndodhur.

Kabashi, po ashtu tha se ShKA “Agimi”, gjithmonë ka nevojë për anëtarë të rinj të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë për ta begatuar dhe përmirësuar kulturën, por iniciativat dhe tentativat paralele jashtë shoqërisë tha se janë të papranueshme dhe të jashtëligjshme, njëherësh tha se dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin e kësaj shoqërie 73 vjeçare.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Festim Bytyqi, i cili njoftoi se janë duke u bërë përgatitje për një paraqitje premierë e cila do të jetë e gatshme në muajin qershor për t’i kënaqur të gjithë anëtarët dhe qytetarët në përgjithësi.

19 Maj 2017 - 11:17

Petrit Kryeziu 19/05/2017 - 11:17
NDËRVEPRIMI0

Përurohet Salla e ‘Sherrit’ e ShKA ‘Agimi’

by Petrit Kryeziu
NA NDIQNI