Qendra e përuruar në Vushtrri

Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Vushtrri

Është përuruar një qendër e re e mjekësisë familjare në Vushtrri.

Në këtë hapje ishte prezent edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli, i cili ka premtuar shtim të personelit mjekësor në komuna.

“Ministria e Shëndetësisë ju garanton që në vitin e ardhshëm do të kemi ngritje të personelit mjekësor si në Komunën e Vushtrrisë ashtu edhe në komunat tjera”, tha Ismajli.

Ai po ashtu tha se kjo Ministri është duke bërë vlerësimin se në çfarë forme mund të ndihmojë mjekësinë primare nëpër komuna, pasi sipas tij mjekësia primare luan një rol mjaft të rëndësishëm për qytetarët.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku tha se ky është objekti i 20-të i cili po ndërtohet në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa për objektin i cili u hap sot ka falënderuar Bashkësinë Islame në Vushtrri për donacionin.

Drejtoresha e qendrës së mjekësisë familjare në Vushtrri Luljeta Zahiti-Preteni ka treguar për kapacitetin e kësaj qendreje.

“Kapaciteti i kësaj qendre është paraparë të jetë 8000 deri në 10,000 banorë që mund të marrin shërbime në këtë QMF e cila do të punojë paradite me mjekun dhe stomatologun”, tha Zahiti.

Ajo po ashtu shtoi se në rast se qytetarët kanë nevojë do të bëhet rritja e stafit dhe do të bëhet shërbim 12 orësh.

Ky objekt është donacion nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri në bazë të një memorandumi bashkëpunimi me Komunën e Vushtrrisë me 21 korrik të këtij viti.

Objekti i ri ndodhet në dalje të qytetit të Vushtrrisë dhe është emëruar si “Qendra e Mjekësisë Familjare 3”.

KALLXO.com shkroi para pesë ditësh për objektin e kësaj qendreje.