Inaugurimi i objektit muze në Ferizaj | Foto: Komuna e Ferizajt

Përurohet Objekti Muze ‘Ish Selia Ipeshkvnore e Kosovës’

Komuna e Ferizajt të mërkurën inauguroi objektin muze “Ish Selia Ipeshkvnore e Kosovës”.

Renovimi i këtij objekti u bë i mundur përmes financimit nga Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë, e cila u implementua nga UNDP.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të UNDP-së, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, si dhe Don Mikel Sopi nga kisha katolike.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se një objekt i tillë është një hap drejt bashkimit të bashkësive të ndryshme etnike, fetare e kulturore.

“Është kjo një vepër shumë e çmuar, është një investim për të ardhmen më të mirë, për kultivimin e ndjenjës së këndshme që vjen nga diversiteti etnik, fetar e kulturor. Konsideroj se kultivimi i pranimit të diversitetit, si vlerë të qytetërimit modern, është porosia më e mirë e këtij investimi.”, tha Svarqa.

Svarqa në ceremoninë e përurimit të objektit muze foli edhe për vuajtjet e së kaluarës.

“Në vendin tonë janë shkaktuar vuajtje të panumërta, pikërisht nga mosdurimi ndaj diversitetit. Sepse një pjesë e njerëzve vendimmarrës në të kaluarën, e kishin rrënjosur urrejtjen, ose synimin për të dominuar të tjerët që kishin prejardhje etnike të ndryshme, bindje të tjera fetare ose politike dhe përkatësi tjetër kulturore”, tha Svarqa.

Inaugurimin e këtij objekti muze e përkrahën edhe zëvendësshefi i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Libor Chlad, koordinatori i OKB-së për zhvillim dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell, Vedat Sahiti nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe përfaqësues nga Kisha ortodokse serbe.