Foto: Facebook

Përurohet Investimi Amerikan në QKUK

Në një ceremoni të organizuar në QKUK janë përuruar dy njësi të rinovuara të Lavatores, investim i Komandës Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë (US EUCOM).

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara, sidomos Komandën Ushtarake të SHBA-së për Evropë për investimet në QKUK që kapin vlerën mbi 2.5 milionë dollarë.

“Investimet dhe përkrahja e vazhdueshme e dhuruar nga US EUCOM nëpërmjet Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje pranë Ambasadës amerikane, po e lehtësojnë punën e stafit të SHSKUK-së dhe ndikojnë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve në këtë institucion” theksoi drejtori Gjocaj.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili tha se me këto investime – rinovim i hapësirave dhe investimet në makinat e reja të larjes, SHBA ka krijuar kushte më të mira sanitare dhe mjedis më të mirë të punës në QKUK.

Ambasadori rikujtoi me këtë rast investimet e bëra në vitin 2013 në disa klinika të QKUK-së, në vlerë mbi 2 milionë dollarë, sikur edhe investimet e tjera në aparatura me vlerë mbi 200.000 mijë dollarë

I shoqëruar nga drejtori Gjocaj dhe punëtorë të tjerë të QKUK-së, ambasadori amerikan vizitoi hapësirat e rinovuara në dy pjesët e Lavatores.

Për donacionet për Lavatoren e QKUK-së, KALLXO.com ka raportuar edhe dy vjet më herët. Në atë kohë, ndërkohë që spitalet merrnin donacione edhe gjëra elementare, si çarçafë, drejtuesit e institucionit nuk e ndalnin luksin.

http://kallxo.com/drejtoret-nuk-e-ndalin-luksin-qkuk-merr-carcafe-si-donacion/