Pamje nga seanca e gjykimit të Ismajl Rudarit - Foto: KALLXO.com

Përsëri s’ka Prokuror në Gjykimin e Ish-Drejtorit

Është shtyrë përsëri gjykimi i Ismajl Rudarit,  ish-drejtorit të ekspoziturës së Bankës NLB që akuzohet për keqpërdorim detyre.

Arsyeja e shtyrjes lidhet me mungesën e prokurorit. Fikrije Fejzullahu, prokurorja që e kishte këtë lëndë ka kaluar në Prokurorinë Speciale.

Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj tha në gjykatë se ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prishtinës për ta pyetur në lidhje me prokurorin për këtë gjykim, por sipas tij kryeprokurori i ka thënë që për këtë çështje ta kontaktonte zëvendëskryeprokurorin Ibrahim Berisha.

Gjyqtari Kurtaj tha se nga zëvendëskryeprokurori Berisha është njoftuar se momentalisht prokuroria nuk ka ndonjë prokuror të lirë.

Sipas Kurtajt, Berisha ka premtuar që për seancën e radhës do të caktojë një prokuror për gjykimin e Ismajl Rudarit.

Ismajl Rudari po akuzohet nga prokuroria themelore se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të Bankës NLB, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Disa nga këto kompani private ishin NTPSH “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.

Me këtë, Rudari ngarkohet nga Prokuroria me veprën penale përvetësimi në detyrë.

Më tutje, i akuzuari në mbrojtjen e tij kishte mohuar të ketë kryer veprën penale për të cilën po akuzohet, duke deklaruar se gjatë gjithë kohës që e ka ushtruar këtë pozitë asnjëherë nuk ka përvetësuar pasuri dhe asnjëherë nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare që të përfitojë në ndonjë mënyrë.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, seanca u shty për datën 16 maj 2017.

Edhe në fund të marsit ishte shtyrë për mungesë prokurori gjykimi i Ismajl Rudarit.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-ndaj-ish-drejtorit-te-ekspozitures-te-bankes-nlb/

Dje në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryeprokurori Aleksandër Lumezi kritikoi mungesat e prokurorëve në gjykimet kundër korrupsionit.

http://kallxo.com/lumezi-kritikon-mungesat-e-prokuroreve-ne-gjykimet-per-korrupsion/