Komisioni për zhvillim ekonomik | Foto: KALLXO.com

Përsëri nuk Votohet për Kalimin e Pallatit të Rinisë në Pronësi të Komunës

Kryesuesja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, a ka shpallur të mbyllur mbledhjen e komisionit pasi që në orën 10:00, do të pritej një delegacion i anëtarëve të Kongresit amerikan.

“Unë nuk dëshiroj asnjë minutë t’i lë të presë (delagacionin)”, tha Berisha-Shala.

Në mbledhjen e komisionit pritej të votohej për kalimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Përderisa mbledhja ishte paraparë të fillonte nga ora 9 e 45, në sallë nuk kishte kuorum për shkak se anëtarët e vetëm prezentë ishin: Sala Berisha-Shala, Bilall Sherifi, Dardan Molliqaj dhe Dardan Sejdiu.

Ndërsa, rreth orës 10:00 erdhën edhe deputetet Mimoza Kusari-Lila dhe Hykmete Bajrami.

Edhe pse në këtë pikë u përmbush kuorumi, kryesuesja e komisionit e shpalli mbledhjen të mbyllur.

Ky veprim u kundërshtua nga deputetët e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu, por u kërkua edhe rrugëdalje tjetër nga Mimoza Kusari-Lila dhe Billal Sherifi për votimin e kalimit të Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Sherifi tha se ka pritur se do të votojë për Pallatin e Rinisë.

“Unë atë ditë (në mbledhjen e kaluar) kam votuar (për shtyrjen e mbledhjes) me mendimin se sot do të votohet për këtë çështje. Nëse ka nevojë, tërë ditën do të rri në Kuvend dhe do ta mbajë fjalën”, tha Sherifi.

Dardan Sejdiu tha se e ka paralajmëruar mundësinë e zvarritjes së votimit.

“Për këtë arsye kam kërkuar që atë ditë të votohej, duke e pasur idenë e qartë se mund të zhagitet procesi, mund të përfundojmë në situata të tilla… E çmoj dhe e vlerësoj shumë fjalën e Z.Sherifi. Edhe unë jam në objektin e Kuvendit”, tha ai duke u shprehur se është i interesuar përmbyllet sa më shpejt kjo çështje.

Në mbledhjen e kaluar votimi për kalimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të komunës u shty për mungesë dokumentacioni.

http://kallxo.com/ne-mungese-te-dokumentacionit-shtyhet-votimi-per-pallatin-e-rinise/