Mbledhja e Qeverisë | Foto: ZKM

Përplasjet qeveritare PDK-AKR-AAK rreth shkarkimit të bordit të ‘Ibër-Lepencit’

Propozimin e ministrit Valdrin Lluka për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” e ka kundërshtuar zëvendëskryeministri nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se kësaj radhe do të abstenojë, por herën tjetër do t’i kundërshtojë vendimet e tilla.

“Unë e dëgjova me vëmendje ministrin, por ju folët edhe për humbjet e ndërmarrjeve dhe honorarët e tyre. Vendimmarrja juaj është e pabazuar. Tash e tutje do të abstenoj, e në të ardhmen do t’i kundërshtoj fuqishëm këto vendime, ngase nuk po shoh koncept e qartësi”, tha Hoxhaj.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se një ndërmarrje me humbje nuk ka logjikë të shpërndajë bonuse e rroga të 13-ta, sidomos duke e pasur parasysh faktin që rroga mesatare në Ibër-Lepenc është rreth 900 euro.

Hoxhaj në kundërpërgjigjen e tij tha se proceduralisht këtë ka drejtë vetëm Zyra e Kryeministrit ta bëjë këtë punë.

“Nuk besoj që ju keni të drejtë. E kuptoj popullizmin për dreka e darka, se dhezin, po a keni koncept të qartë për zhvillim të ndërmarrjes. Nuk po shoh koncept të zhvillimit”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se e përkrah propozimin e ministrit Lluka për shkarkim.

“Ka një diçka që më bënë me e përkrah vendimin e ministrit Lluka. Nëse ky i shkruan një kompanie mos i bëni këto dhe ata e bëjnë, unë qëndroj prapa ministrit. Këto ndërmarrje kanë pasë liri të tepërt, si rasti i ‘Telekomit’”, tha Haradinaj.

Ndërsa ministri tjetër nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri pyeti kryeministrin se a do të zëvendësohen të shkarkuarit nga lista e pritjes nga konkursi i kaluar, apo do të hapet konkurs i ri nga fillimi.

”Plotësimi i bordit bëhet me anëtarët e bordit që kanë qenë në listë të pritjes”, tha Haradinaj.

Katër anëtarët e bordit të Ibër-Lepencit u shkarkuan sot nga Qeveria me 3 abstenime dhe votat tjera pro. Enver Hoxhaj, Dhurata Hoxha dhe Besim Beqaj janë anëtarët kabinetit qeveritar nga radhët e PDK-së që abstenuan ndaj këtij vendimi.

Bordi i Kundërligjshëm i KEK-ut

Fatos Sahiti, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu janë anëtarët e shkarkuar nga Qeveria.