Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Përplasje Rreth Provave në Gjykimin për Terrorizëm

Në gjykimin e dhjetë personave për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, avokati Besnik Berisha i kërkoi prokurorit të Prokurorisë Speciale Abdurrahim Islami që të prezantojë në gjykatë fotografitë në të cilat e bazon aktakuzën.

Sipas prokurorisë në këto fotografi të cilat mbrojtjes ende nuk i janë dhënë si prova, të akuzuarit janë të armatosur.

Avokati Berisha kërkoi që fotografitë të jenë me ngjyra, të jenë të precizuara se ku janë marrë dhe të shpjegohet arsyeja pse ato nuk i janë dorëzuar mbrojtjes dhe gjykatës.

Paraqitjen në gjykatë të këtyre fotove e kërkoi edhe avokati Afrim Salihu.

Për arsye se prokuroria nuk kishte mundësi që të paraqiste  para trupit gjykues dhe të akuzuarve fotografitë për secilin veç e veç, bashkë me informacionet për vendin, burimin dhe kohën kur janë realizuar këto foto, trupi gjykues mori aktvendim që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësor.

Ky trup gjykues obligoi prokurorin që në afat prej tetë ditësh dhe para seancës tjetër të sigurojë nga një foto për secilin të akuzuar.

Para se seanca të ndërpritej, avokati Besnik Berisha që në këtë proces gjyqësor mbron Hadi Nurën i propozoi trupit gjykues që të shpallë si të papranueshme provat e siguruara përmes masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit(regjistrimit  të komunikimeve, mesazheve SMS me tekst).

“Provat e prezantuara nga ana e prokurorisë speciale janë të papranuara dhe të marra në mënyrë joligjore, të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese, ne kërkojmë që gjykata të jap aktvendim të veçantë për këtë çështje”, tha Berisha.

Berisha shpjegoi edhe pse mendon që këto prova janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

“Askush nuk e ka fuqinë e privimit të së drejtës së privatësisë plotë 2 vjet në mënyrë retroaktive dhe se gjykatat janë të obliguara që të harmonizojnë vendimet e tyre me vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Berisha.

Edhe avokati Afrim Salihu e përkrahu propozimin e Besnik Berishës lidhur me provat e marra nga përgjimi i komunikimeve.

Por trupi gjykues me aktvendim këto prova i konsideroi të ligjshme.

“Gjykata regjistrimin e bisedave dhe nxjerrjen e SMS-ve të zbatuar me urdhëresë të gjykatës dhe me procedurë paraprake, e konsideron të siguruar në mënyrë të ligjshme dhe të njëjtën si provë të pranueshme”, u tha në aktvendimin e gjykatës.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini arsyetoi aktvendimin me fjalët se nga të pandehurit ka pasur dyshim të arsyeshëm se numrat përkatës të telefonave janë përdorur për kryerjen e veprës penale, për të cilën vepër sipas Kodit Penal të Kosovës parashihet lëshimi i urdhrit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës parashihet që urdhri për masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit lëshohet për periudhën fillestare prej 60 ditëve nga data e lëshimit.

Por gjyqtarja Çerkini tha se në asnjë formë nuk është e përcaktuar se është kundërligjore nëse kërkohen të dhënat për SMS për periudhën kohore para lëshimit të urdhrit.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës, Jeton Hajdinit dhe Kujtim Bytyqit.

Dhjetë të parët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Zijadin Berisha në seancën e djeshme e pranoi në tërësi fajësinë.

Seanca e radhës e këtij gjykimi është caktuar më 4 maj.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor, ndërsa këto shkrime mund t’i lexoni këtu.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri