Përplasje Karrigesh në “Makiato-Kuvendet” e PDK-së, Viti

Zgjedhjet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet janë kthyer në “makiato kuvende”, thotë një zyrtar i saj në Viti.

Selman Ymeri, ish-anëtar i Kryesisë dhe Këshillit të Degës së PDK-së në Viti, ishte zgjedhur kryetar i nëndegës nga fshati Sadovinë e Jerelive, më 23 nëntor.

Por, ato votime janë hedhur poshtë dhe janë riorganizuar dy ditë më vonë nga kryesia e degës e PDK-së. Në votimet e reja është përzgjedhur Labinot Shabani.

Ymeri akuzon kryetarin e degës, Daut Xhemajli, dhe anëtarin e kryesisë së saj, Xhevat Bislimi.

“…(Në PDK) nuk ka vend për shumë e shumë veprimtarë, në kryesitë e nëndegëve, pavarësisht se ata kanë fituar nëpër nëndegë me votë demokratike, të cilët nuk i pranojnë ‘rregullat e lojës’ të makiato-kuvendeve të ideuara dhe zbatuara nga Daut  Xhemajli dhe Xhevat Bislimi”, akuzoi Ymeri.

Në votimet e para, Ymeri kishte marrë pesë nga gjithsej shtatë votat e kryesisë së nëndegës. Në bazë të tyre, ai po ashtu do të merrte pjesë në kuvendin zgjedhor të degës së Vitisë pasi nëndega e Sadovinë e Jerelives do t’i dërgojë aty 2 përfaqësues – kryetarin dhe një delegat.

Mirëpo, sipas Daut Xhamajlit dhe Xhevat Bislimit takimi i nëndegës ishte rithirrur pasi i pari nuk ishte paralajmëruar në kryesinë e degës.

Xhemaili thotë se Selman Ymeri nuk është as anëtar i PDK-së ndonëse ka qenë dhe se kuvendi as “nuk e ka identifikuar anëtarësinë dhe as ka thirrur mbledhje pa konsultime me Kryesinë e Degës”.

Nga ana e tij, Bislimi thotë se “një tubim me qytetarë është i ndaluar edhe me ligj që të thirret si kuvend i PDK-së”.

Por Ymeri thotë se e kishte paguar anëtarësinë në parti dhe se me qëllim nuk i ishte dhënë libreza. Shton se kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së deri më 2002. Ai thotë se njoftimi me shkrim ishte bërë për mbajtjen e votimeve, se ato ishin kryer përmes votimit të fshehtë dhe se të gjithë delegatët e kuvendit ishin nënshkruar në listën zgjedhore.

Ai i quan Xhemajlin e Bislimin “privatizues të Partisë Demokratike të Kosovës në Viti”. Sipas tij, ata të dy ka kohë të gjatë që nuk e kanë këtë dhe nëndegë të tjera të PDK-së.

“Kryesia qendrore e PDK-së do të duhej që në kohën e paraparë për agjendën e zgjedhjeve partiake nëpër degët e PDK-së, në mënyrë urgjente apo në kohën më të shpejtë të mundshme, një pjesë të kohës t`ia kushtojë ecurive zgjedhore në degën e PDK-së, në Viti, në mënyrë shumë më serioze dhe më përmbajtjesore”, thotë Ymeri.

“Përplasje karrigesh” në seksionin e Kabashit

Selman Ymeri po ashtu thotë se parregullsitë janë duke u shtrirë edhe në sesionet tjera të PDK-së në Viti.

Ai tha se në zgjedhjet e nëndegës së Kabashit, më 4 dhjetor, ka pasur rrahje.

Por anëtari i Kryesisë së PDK-së në Viti, Xhevat Bislimi, thotë se ka qenë në këto votime dhe se aty “ka pasur vetëm përplasje karrigesh”.

“Pasi është qetësuar gjendja, votimet kanë vazhduar”, tha Bislimi.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Kabashi, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se të martën ka ndodhur një incident në një tubim politik të mbajtur në fshatin Kabash, në orët e pasdites. “Policia është duke u marrë me rastin”, tha ai.

Drenas: Ndahet një nëndegë e PDK-së në Drenas

Ndërkohë, gazeta Koha Ditore raportoi të enjten se në Degën e Drenasit, pas grushtimeve në Çikatovë të Re, ku dy persona janë lënduar, problem të tjetër ka ndodhur edhe në Zabel të Ulët, ku janë mbajtur dy palë zgjedhje partiake të PDK-së

Sipas gazetës, njëra palë e banorëve të fshatit ka mbajtur zgjedhjet në sallën e kulturës në Drenas, e që i ka drejtuar kryetari i nëndegës së Komoranit, Bislim Zogaj, por pa kryetarin e seksionit të fshatit, Blerim Buqinca, ndërsa pala tjetër në shkollën e fshatit me praninë e kryetarit të seksionit e që i ka drejtuar Izet Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës.