Përplasja e Fundit në Gjykimin për Sulmin në Kuvend

Prokurori Abdurrahim Islami dhe të akuzuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës për herë të fundit ballafaquan pretendimet e tyre.

Përderisa prokurori kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin sipas ligjit të aktivistëve të  Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në tërësi mohuan çdo akuzë.

Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Islami në fjalën e tij të cilën e paraqiti përmes një prezantimi në Power Point tha se të akuzuarit kryen veprat dhe për këtë renditi disa prova, ndër to motoçikletën dhe telefonin e blerë.

“Faktet të cilat u cekën më lartë pra motoçikleta, telefoni, dëshmitarët tregojnë se në rastin konkret të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe janë përgjegjës për kryerjen e veprës terroriste andaj në bazë të këtyre provave gjykata t’i vlerësoj[ dhe të akuzuarit t’i shpall[ fajtor[ dhe t’i dënoj[ sipas ligjit”, tha prokurori Islami.

Ndryshe nga prokurori menduan të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Avokati Ramiz Krasniqi tha se prokurori nuk ofroi asnjë provë bindëse ndërsa i mbrojturi i tij Atdhe Arifi pati disa fjalë më të rënda.

“Këtu ka qëllim politik dhe jo juridik dhe nëse kështu vazhdohet gjykata do të shndërrohet në jo në gjykatore por në thertore, jo në institucion që postulat e ka të vërtetën por që forca që ushtrohet ndaj viktimës ka për qëllim ndarjen e mishit nga ashti”, tha Arifi.

Prezantimi i bërë nga prokurori Islami duket se nuk e bindi avokatin e Frashër Krasniqit.

Tomë Gashi e quajti “film” rastin ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Prokurori vetëm ka bërë filma të cilët kanë pas efekt të kundërt dhe thuaja janë porosit nga vetë mbrojtja për të mos e harruar atë që ndoshta është prova kryesore dhe është fjalia e prokurorit të shtetit që deklaroi se materiali që i është dërguar FBI-së në Amerika ka qenë i papërshtatshëm që të identifikohen aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë akuzuar me akuzën konkrete”, tha Gashi.

Kundërshtimin e aktakuzës dhe deklarimin e pafajësinë së tyre e bënë edhe të akuzuarit Egzon Haliti e Adea Batusha dhe mbrojtësit e tyre.

Kështu, gati një vit pas ngritjes së aktakuzës, njëri nga proceset më të diskutuara në vend do të ketë epilogun e tij të premten, kur do të shpallet aktgjykimi.

Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike.