ARKIV: Pamje nga Stambolli - Foto: Twitter

Përpjekja për Puç Ka Dështuar

Përpjekja për puç ushtarak, e cila tronditi gjatë natës Turqinë, ka dështuar, ka thënë sot sipas agjencive të huaja të lajmeve gjenerali Ümit Dündar, shefi i përkohshëm i ushtrisë turke.

“Kjo përpjekje për grusht shteti ka dështuar”, ka thënë ai para medieve në Stamboll, duke konfirmuar se 90 persona – 41 policë, dy ushtarë dhe 47 civilë “kanë rënë martirë“, njofton AFP.

Ndërsa, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u ka bërë thirrje turqve përmes “Twitter”-it të qëndrojnë në rrugë.

“Grushti i shtetit ka dështuar falë një solidariteti të plotë ndërmjet kryekomandantit tonë dhe presidentit, kryeministrit tonë dhe forcave të armatosura turke”, ka thënë sipas Agence France Press gjenerali, i cili e zëvendëson përkohësisht shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Hulusi Akar.

Ky i fundit ishte ndaluar nga ushtarakët kryengritës mbrëmë para se të lirohej gjatë një operacioni ushtarak të kryer kundër një baze ajrore në periferi të Ankarasë.

Sipas AFP-së, gjenerali Dündar ka konfirmuar po ashtu se 1563 ushtarakë janë arrestuar në lidhje me këtë puç të përgjakshëm gjatë të cilit ushtarakët kryengritës kishin marrë nën kontroll avionë luftarakë dhe tanke.