CV e profesorit e marrë nga vebfaqja e fakultetit

Përmirësohet Gabimi në CV që e Bënte Profesorin më të Ri

Daka do të pensionohet vitin e ardhshëm, ndërsa një raportues anonim në KALLXO.com dyshon se ky gabim është i qëllimtë dhe viti i lindjes së profesorit është falssifikuar për t’ia zgjatur jetën akademike atij.

Hysni Daka, profesor në Fakultetin e Mjekësisë ka lindur në vitin 1952, ndërsa në CV-në e tij viti i lindjes i shkruante të jetë 1953-ta.

Hysni Daka tha për KALLXO.com se nuk ka qenë i vetëdijshëm se në CV-në e tij thuhet se ka lindur në vitin 1953 dhe sipas tij gabimi është teknik dhe është dashur të rregullohet nga personeli i fakultetit.

“Është gabim teknik, të gjitha dokumentet tjera zyrtare tregojnë që kam lindur më 1952, dikush nga fakulteti do duhej ta rregullonte, unë pensionohem vitin tjetër dhe kjo nuk paraqet ndonjë problem,” tha Daka.

Në anën tjetër , Visar Muçaj, sekretar i Fakultetit të Mjekësisë vlerësoi se gabimi është lëshuar si pasojë e mungesës së zyrtarit të IT-së.

“Është gabim teknik, dokumentet zyrtare si kontrata mbajnë datën e saktë. Përgjegjësia për verifikimin e informacioneve është e zyrtarit të IT-së, por nuk kemi një të tillë në fakultetin tonë qe dy vjet,” tha Muçaj.

Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës thotë se konkursi për IT është anuluar dy herë për shkak të ndërrimit të menaxhmentit dhe tani është në pritje për t’u rishpallur.

“Ndërrimi i menaxhmentit [rektorëve] ka bërë që dy herë të anulohen konkurset për zyrtarë të IT-së në Fakultetin e Mjekësisë, tani jemi duke i shqyrtuar kërkesat për personel në të gjitha fakultetet dhe shpresojmë se në bazë të prioriteteve do të shpallen konkurset,” deklaroi Kelmendi.

Pas interesimit të KALLXO.com, data e lindjes së profesorit Daka u përmirësua.