Objekti i Ministrisë së Arsimit

Përmes Avokatit të Popullit Kërkon Bursën e Mohuar

Mimoza Telaku mbaroi doktoraturën në një nga universitetet më prestigjoze në Izrael, ’Ben Gurion’. Por, tash e dy vjet ajo po e kërkon të drejtën e saj të mohuar nga institucionet e Kosovës.

Ajo pretendon se i takon një bursë që ndahet nga Ministria e Arsimit për këtë kategori studentësh.

Në një konkurs të shpallur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në shtator të vitit 2015, parashihej që të shpërndaheshin bursa për studentë kosovarë që studiojnë në njërin nga 500 universitetet më të mira në botë, sipas disa renditjeve të njohura ndërkombëtarisht.

‘Gazeta Jeta në Kosovë’, në mars të vitit të kaluar kishte raportuar mbi diskriminimin që MASHT kishte bërë në ndarjen e këtyre bursave.

Telakut nuk i është ndarë kjo bursë, megjithëse thotë se i kishte plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme të vendosura nga Ministria.

Ajo ka parashtruar ankesë zyrtare me shkrim në Ministrinë e Arsimit me dëshmitë fizike se universiteti ku ajo studion rangohet në mes të 500 universiteteve më të mira në botë, sipas këtyre rangimeve ndërkombëtare.

Pas këtij raportimi, Telaku kishte kërkuar ndihmë rreth këtij rasti në zyrën e Avokatit të Popullit.

Në ankesën e dërguar me datën 9 shkurt të vitit 2016 tek zyra e Avokatit të Popullit, Telaku renditi disa ankesa mbi shkeljet që sipas saj janë bërë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Telaku pretendon se zyrtarja e rastit në zyrën e Avokatit të Popullit nuk ka treguar vëmendje në ankesën e saj dhe kështu ka bërë shtrembërime të fakteve gjatë shkresave që i janë dërguar Ministrisë së Arsimit.

Në shkresën dërguar MAShT-it, zyrtarja Merita Syla ka ngatërruar ranglistën në të cilën universtiteti ku Telaku studion radhitet në 500 më të mirët.

Në kohën e aplikimit për bursë, universitetin ku studionte Telaku, Ranglista ‘Shanghai Ranking’ e rendit në vendin e 400 deri në 500.

“Zyrtarja në fjalë ka bërë shkelje në përpilimin e rekomandimit për MAShT-in duke shtrembëruar faktin se universiteti ku unë kam studiuar (Ben-Gurion University) rangohet në mesin e 500 universiteteve më të mira sipas Times Higher Education. Për këtë MAShT është përgjigjur me plot të drejtë se Ben-Gurion University nuk gjendet në mesin e 500 universiteteve më të mira”, thotë Telaku.

Që nga dorëzimi i ankesës zyrtare nga Telaku në Institucionin e Avokatit të Popullit, ajo nuk ka qenë e njoftuar për hapat e shqyrtimit të ankesës së saj për muaj me rradhë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka biseduar me zyrtaren Syla, por ajo ka thënë se do të përgjigjet përmes zyrës për informimit të IAP.

Majlinda Lulaj, zyrtare për informim, thotë se IAP kishte kërkuar nga MASHT që  aplikimi i Mimoza Telakut të rishqyrtohet dhe të vendoset drejt mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe provave.

Megjithatë sipas tyre MAShT nuk ka ndërruar qëndrimin e vet lidhur me ndarjen e këtyre bursave.

“Së fundmi, lidhur me rastin, MAShT i ka nisur një shkresë të radhës IAP-së, me datë 1 shkurt 2017, në të cilën ripohohen ato që janë thënë më herët nga MAShT lidhur me këtë rast. Pas pranimit të kësaj shkrese, IAP do ta njoftoj palën dhe mbetet në procedurë të hetimit të rastit”, tha Lulaj.

Tanimë që janë bërë afro dy vite nga koha kur Telaku kishte parashtruar kërkesën e parë tek Avokati i Popullit, ajo sërish është ankuar se nuk ka marrë përgjigje zyrtare lidhur me statusin e lëndës së saj.

Të pyetur nga “Gazeta Jeta në Kosovë”, zyra e IAP ishte deklaruar më 29 gusht se lënda e Telakut është ende nën hetime.

Megjithatë, Telaku pretendon se në kërkesat e vazhdueshme që i ka dërguar edhe gjatë muajit shtator, nuk i janë kthyer përgjigje lidhur me statusin  e lëndës.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka dërguar sërish pyetje në drejtim të Avokatit të Popullit dhe po pret përgjigje lidhur me arsyet e jo transparencës ndaj palës ankuese në trajtimin e lëndës së saj.