Pamje nga diskutimet në ditën e fundit të "Javës së Gruas 2017" - Foto: Kallxo.com

Përmbyllet 'Java e Gruas'

Gjatë fjalës së saj, ministrja Tahiri vuri theksin te liberalizimi i vizave. Ajo tha se që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në vendet evropiane duhet të votohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Duhet të votohet Demarkacioni sepse qytetarët kanë mbetur të izoluar. Tani vetëm këtë kusht e kemi. Nuk kemi tjera. E kemi plotësuar kushtin që është kërkuar për luftimin e korrupsionit për këtë fazë nga BE. Vetëm votimi i Demarkacionit mundëson që qytetarët të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Këtë e ka bërë të qartë edhe zonja Mogherini”, tha Edita Tahiri, duke bërë thirrje që të votohet Demarkacioni dhe t’u jepet shans qytetarëve të udhëtojnë.

Ministrja Tahiri tha po ashtu se Kosova po përballet edhe me probleme të tjera. Ajo shtoi se duhet gjetur zgjidhje për to në mënyrë që të zhvillohet vendi.

Në përmbyllje të “Javës së Gruas”, ministrja Tahiri foli edhe për rolin e gruas në institucione. Ajo theksoi se shifra prej 30 për qind e grave të punësuara në institucione qeveritare është shumë e vogël.

Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje që nisi më 20 mars, drejtori i misionit USAID tha se kjo organizatë do të vazhdojë të përkrahë institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Shoqëria kosovare ka nevojë për gra lidere, tha James Hope dhe premtoi bashkëpunim “siç kemi bërë nga viti 1999”.

“Do të dizajnojmë projekte të reja, do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Qeverinë, mediat dhe shoqërinë për t’ju përkrahur ju, për t’i përkrahur të gjitha idetë e juaja, vullnetin dhe këmbënguljen tuaj”, ka thënë Hope.

Ndërsa drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) në Kosovë, Alexander Chavarria, ka thënë se “Java e Gruas” duhet t’i ketë motivuar dhe ndryshuar pikëpamjet e qytetarëve drejt së ardhmes.

“Shpresoj që këto ditë të ju kenë motivuar dhe  inkurajuar për të ndryshuar pikëpamjen tuaja drejt së ardhmes ashtu siç e ka pasur ndikim tek ne”, ka thënë Chavarria.

Drejtori i NDI-së falënderoi krerët e shteti të Kosovës për përkrahjen e dhënë.

Në ditën përmbyllëse të “Javës së Gruas” u certifikuan edhe 120 pjesëmarrës të nacionaliteteve të ndryshme.

“Java e Gruas” është një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh gra dhe vajza, të cilat rrëfejnë rreth përvojave të tyre.

Ajo organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), i përkrahur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

http://kallxo.com/puna-online-mundesi-e-pafundme-punesimi/

http://kallxo.com/thaci-potenciali-gruas-kosovare-eshte-shume-madh/

Redaktoi: Naser Sertolli