VIDEO - Përleshje mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend

Një konflikt verbal i filluar dje në sallën e Kuvendit të Kosovës mes deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, dhe atij të LDK-së, Arben Gashi, degjeneroi sot në përleshje fizike.

Incidenti ndodhi në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pamjet tregojnë se deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pasi doli nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, ka shkuar drejt vargut të deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi. Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK-së.

Pamjet e ofruara nga regjia e Kuvendit nuk shfaqin fjalët që mund të jenë thënë.

Në këtë moment, kolegët tjerë ndërhyjnë për të mos e lejuar eskalimin e mëtejmë.

Pak sekonda më pas, deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, shihet në një polemikë me Arben Gashit, të cilit ia drejton gishtin si formë e tërheqjes së vërejtjes.

Kur e pa këtë situatë, kryetari i Kuvendit, i cili po i thërriste deputetët, sipas radhës alfabetike, të votojnë, bëri thirrje për qetësi.

Kohëve të fundit, PDK dhe LDK janë përfshirë në debate të ashpra.

Ka qenë deputeti Xhavit Haliti i cili dy javë më parë ka polemizuar ashpër me deputetin e LDK-së, Anton Quni, rreth një shume të parave prej 8 milionë euro të cilat Quni pretendonte se Haliti i ka marrë gjatë periudhës së luftës nga qeveria në ekzil e drejtuar nga Bujar Bukoshi.