Pamje nga gjykimi i Sami Qorrit - Foto: KALLXO.com

Përleshja për Borxhin i Çoi Shokët në Gjyq

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sami Qorri më 6 shtator 2016 kishte shkuar te shtëpia e Sefer Dubovcit (i cili në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit), në fshatin Qikatovë, për të biseduar lidhur me një borxh.

Ky takim rezultoi me një kacafytje në mes të dyve dhe Sefer Dubovci mbeti i plagosur.

Në seancë, i akuzuari Sami Qorri tha nuk kishte shkuar me qëllim të keq te shtëpia e shokut të tij.

“Në momentin që kam shku e kam ndalë veturën dhe e kam thirrë Seferin. Ka dalë nga një veturë dhe çuditërisht ka filluar të fyej e shajë në mënyrën më të vrazhdë. Ka ardhë në drejtim timin me fjalët: “Çfarë ke lypë që ke ardhë te shpija?” Dhe aty e kuptova se ka me më sulmu”, deklaroi i akuzuari.

Më tutje, ai shtoi se arsyeja e repertimit të revoles nuk ishte të lëndonte Dubovcin, por vetëm ta frikësonte.

“Në atë moment unë e kam nxjerrë revolen dhe e kam repertu me qëllim që ta ndali dhe i kam thënë: mos mu afro më shumë. Ka vazhduar përsëri me ato të shamet. Unë e kam reportu edhe njëherë revolen me qëllim që ta frikësoj. Më është afruar dhe ma ka kapë armën dhe e di që armën e kam mbajtë poshtë dhe as nuk kam gjujtë në drejtim të tij. Me siguri edhe pa dashje ka krisë arma, por e di se arma ka krisë 2 herë”, shpjegoi i akuzuari.

Gjatë marrjes në pyetje, Qorri i tregoi trupit gjykues që tanimë raportet me të dëmtuarin Dubovci i kishin të mira si më parë dhe se familjarët e tij e kishin vizituar pas daljes së tij nga paraburgimi.

Në bazë të aktakuzës, gjatë kohës që Qorri kishte qenë duke biseduar me djalin e të dëmtuarit Dubovci, ky i fundit është nisur në drejtim të të akuzuarit Qorri, me ç’rast i akuzuari ka repertuar revolen kah toka, duke shtënë një fishek i cili ka qëlluar të dëmtuarin në regjionin e kofshës së djathtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Qorri ka tentuar ta repertojë edhe një herë, por fisheku i kishte ngecur në tytë.

Kur i dëmtuari ka vërejtur këtë defekt, i njëjti duke u kacafytur me Qorrin edhe ka tentuar t’ia marrë pistoletën.

Gjatë kësaj përleshjeje, pistoleta ka shkrepur edhe një herë në drejtim të fytyrës së të dëmtuarit.

Si pasojë, i dëmtuari është rrëzuar në tokë dhe ka humbur vetëdijen, ndërsa sipas aktakuzës, i akuzuari është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes.

Fillimisht, Qorri akuzohej për vrasje në tentativë, por gjatë shqyrtimit gjyqësor prokurorja Javorka Perilinçeviq e ka rikualifikuar veprën penale në lëndime të rënda trupore.

Perilinçeviq kërkoi nga trupi gjykues që i akuzuari të shpallej fajtor dhe të dënohej sipas ligjit.

“Në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit Gjykata t’i marrë parasysh dëshmitë e propozuara nga ana e Prokurorisë dhe ato të shqyrtuara në seancat kryesore dhe të sjellë aktgjykim dënues”, tha prokurorja Perilinçeviq.

Ndërkaq, avokati i Qorrit, Zhivojin Jokanoviq, tha se asgjë nuk ka qenë e planifikuar, madje as që është dëshiruar një gjë të tillë, por e gjitha është bërë në kuptim të vetëmbrojtjes.

“Dënimi më i butë do të ishte edhe për rastin që gjykata do të gjente që është fajtor sepse paraburgimi vetëm se e ka arritur qëllimin e dënimit”, tha Jokanoviq.

Fjalën e avokatit e mbështeti edhe i akuzuari, i cili gjatë fjalës përfundimtare shprehi pendesë të thellë.

“E mbështes në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit tim. Dëshiroj të lus Gjykatën se rasti ka ndodhë në afekt, pa qëllim, pa dashje. Më vjen shumë keq që ka ndodhë, si dhe për ato veprime që i kam ndërmarrë ndihem i penduar”, tha Qorri.