Përkthimi e La Jashtë Burgut Ivanoviqin

Ivanoviq edhe pse më 21 janar u dënua për krime lufte me 9 vjet burg mbeti në arrest shtëpiak për 6 ditë, edhe pse Kodi i Procedurës Penale të Kosovës parashikon paraburgimin deri në plotfuqishmëri të vendimit për ata që dënohen me më shumë se pesë vjet.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.com tregohen arsyet se pse kjo gjykatë e ktheu në paraburgim Ivanoviqin dhe po ashtu shpjegohen gabimet që gjykata themelore i bëri kur vendosi që Ivanoviq të mbahej në arrest shtëpiak.

Vendimi shpjegon se Ivanoviqi u la jashtë burgut për shkak se në versionin serbisht të Kodit të Procedurës Penale nuk kërkohet që të dënuarve me mbi 5 vjet t’u caktohet paraburgimi.

Gjykata gjeti se versioni në serbisht i kodit përmend vetëm termin “mbajtje” e jo termin “paraburgim” si është i specifikuar në versionin shqip. Gjykata e Apelit po ashtu sqaroi se Kodi i Procedurës Penale në gjuhën angleze ka disa gabime gramatikore.

Për të vendosur që Ivanoviq duhet të qëndrojë në paraburgim, Apeli ka përdorur qëndrimet parimore të Gjykatës Supreme, duke konstatuar se Kodi i Procedurë Penale me gjithë paqartësitë në përkthim parasheh që në raste të dënimeve më të larta se 5 vjet të dënuarit të paraburgosen.

“Kolegji ka ardhur në përfundimi se neni 367, paragrafi 2 i KPP-së pa mëdyshje parasheh sipas të gjitha versioneve gjuhësore, se kur i pandehuri është dënuar me pesë ose më shumë vjet burgim, paraburgimi  i tij/saj është i detyrueshëm dhe se gjyqtari nuk ka liri veprimi në këtë drejtim,” thuhet në vendim .

Gjykata Themelore në Mitrovicë Ivanoviqin e dënoi për krime lufte të kryera në vitin 1999 me 9 vjet burgim. Ditën e shpalljes gjykata vendosi që Ivanoviqit t’ia vazhdojë masën e arrestit shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës për të.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Vendimi ngjalli pakënaqësi veçanërisht tek prokurori i rastit i cili e apeloi atë në gjykatën e Apelit.

Gjashtë  ditë më vonë gjykata e Apelit nxori vendim për ta kthyer në paraburgim Ivanoviqin.

Mbrojtësi i tij Nebojsha Vlajiq e ka kundërshtuar këtë vendim me pretendimin se Ivanoviq nuk ka qëllim ti ikën drejtësisë.

“Klienti im edhe pse e ka ditur që mundet të dënohet edhe me vdekje, nuk ka ikur dhe është paraqitur në gjykatë. Unë ju garantoj që ai nuk do të ikë dhe kështu t’i vendoset masa e arrestit shtëpiak,” kishte thënë Vlajiq.

http://kallxo.com/ivanoviq-kthehet-ne-burg/

Vendimi i gjykatës është shoqëruar me protesta në pjesën veriore të Kosovës.

http://kallxo.com/serbet-protestojne-per-burgosjen-e-oliver-ivanoviqit/