Përgjuesit Informojnë të Përgjuarit

Nga fillimi i këtij viti, të gjithë ata që janë përgjuar nga Policia do të marrin një njoftim me shkrim, ku tregohen detajet pse dhe në cilën periudhë kanë qenë cak i përgjimit.

Letrat e para të kësaj natyre tashmë u janë dorëzuar disa qytetarëve, të cilët më parë ishin përgjuar nga policia me urdhër të prokurorisë dhe gjykatës.

NDËRLIDHUR

Vendimi për t’i njoftuar qytetarët e përgjuar është marrë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe është duke u zbatuar nga të gjitha prokuroritë e vendit.

Kjo është konfirmuar nga kryeprokurori i Ferizajt, Agron Qalaj.

“Vendimi është në zbatim e sipër. Por, edhe më herët procedura ka shkuar në bazë të Kodit të Procedurës Penale. Është obligim i prokurorit ta njoftojë qytetarin e përgjuar” tha Qalaj.

E kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, konfirmoi për KALLXO.com se tash e tutje të gjithë prokurorët do ta zbatojnë kërkesën e Prokurorisë së Shtetit.  “Edhe më parë ka qenë e detyrueshme, por nuk është zbatuar 100 %. Tani kemi bërë diçka më tepër për ta përmbushur këtë obligim ligjor, ndërsa më parë kemi çaluar” tha Maloku.

Letra me njoftimet se kanë qenë cak i përgjimit kanë nisur të marrin edhe qytetarët e rrethit të Mitrovicës. I pari i Prokurorisë së Mitrovicës, Shyqeri Syla, konfirmoi se ka nisur zbatimi i kësaj dispozite.

Zbatimin e këtij vendimi e ka konfirmuar edhe Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren. “Prej kur është nxjerrë ky vendim kemi filluar ta zbatojmë” tha ai, duke treguar se vendimi është zbatuar në disa raste edhe më herët.

Kodi i Procedurës Penale, i miratuar në vitin 2013, ka paraparë që të gjithë qytetarët e vendit të cilët janë cak i përgjimeve legale duhet të njoftohen në fund të çdo përgjimi.

07 Janar 2016 - 15:03

07/01/2016 - 15:03
NDËRVEPRIMI0