Foto: RTV 21

Përfundon Testi PISA 2018

Testimi Ndërkombëtar PISA ka përfunduar sot, ndërsa nxënësit nga Drenasi ishin të fundit që iu nënshtruan atij.

Përfundimin e testit e njoftoi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë vizitës që bëri në Shkollën e Mesme të Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas.

“Këtu në Drenas po përfundohet testi PISA, nga informacionet që ne i kemi nga terreni në të gjitha komunat ka rezultuar një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe dhe me sukses është përfunduar testi PISA”, tha Bytyqi.

Testimi Ndërkombëtar PISA ishte paraparë të zgjaste deri me 5 maj, por që arsye e përfundimit sot sipas ministrit është se nuk ka pasur përsëritje të testit në asnjë shkollë dhe se mbarëvajtja e testimit ka shkuar shumë mirë.

“Kjo periudhë ka qenë e planifikuar deri me 5 maj duke pasur parasysh se mund të ketë një dështim, mund të ketë ripërsëritje të testit në ndonjë komunë. Por, vërtet nuk ka pasur nevojë që të ketë përsëritje fare”, tha ministri.

Ministri pret që në testin e sivjetmë të ketë rezultate më të mira.

“Unë pres shumë që ky test të jetë një test shumë më i mirë sesa që ka qenë në të kaluarën. Si dhe, do të na jep shpresë dhe do të na shton përgjegjësinë që tutje të punojmë edhe më shumë për ndryshimin e cilësisë së arsimit”, tha ministri.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj, njësoj si ministri tha se pret rezultat më të mirë.

“Kemi bindjen se ky test do të jetë në një nivel cilësor më të lartë sesa që ka qenë testi paraprak”, tha Sylaj.

Se gjatë testit ka shkuar gjithçka mirë e konfirmon edhe drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Valdet Istogu

“Testi PISA këtë vit në shkollën tonë ka përfunduar, ka përfunduar shumë me sukses duke e pasur parasysh edhe angazhimin e madh që ka bërë Ministria e Arsimit, koordinatorët e MASHT-it, por edhe koordinatorët komunalë dhe të shkollave”, tha drejtori Istogu.

Testimit Ndërkombëtar PISA i janë nënshtruar 211 shkolla nga e gjithë Kosova dhe kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës.