Gjykimi i ish-kryetarit të Obiliqit dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Përfundon Marrja në Pyetje në Gjyqin e ish-Kryetarit të Obiliqit

Në gjykimin e ish-kryetarit të Obiliqit Mehmet Krasniqi dhe 12 personave tjerë në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë, u përfundua marrja në pyetje e të gjithë të akuzuarve.

Bujar Alidema, drejtor i kompanisë “Bas Com” që ishte ishte fituese e tenderit për asfaltimin e rrugëve rurale në Obiliq, kishte nënshkruar një kontratë mbi 150.000 euro dhe aneks-kontratë me vlerë mbi 7000 euro.

“Të gjitha këto punë ia kam besuar Basri Kqikut, pasi që e kisha mik shtëpie dhe asnjëherë nuk kam qenë për t’i mbikëqyrur apo shikuar rrugët. Në ditarin e punës e kam pa që çdo gjë po shkon në rregull, vetëm emri im ka figuruar si drejtor ‘Bas Com’”, deklaroi Bujar Alidema.

I pyetur nga prokurori special Agron Bajrami se a qëndron para deklaratave të dhëna gjatë hetimeve, ai i mohoi ato që kishte deklaruar.

“Nuk qëndroj para atyre deklaratave, pasi që Basri Kqiku e ka pranuar fajësinë nuk kam çka të shtoj”, tha i akuzuari Alidema.

Më pas u mor në pyetje i akuzuari Shpend Kelmendi i cili kishte qenë i angazhuar si teknik në punishte në kohën e realizimit të projekteve.

“Më ka angazhuar pronari i kompanisë ‘Beka Komerc’ Basri Kqiku. Unë kam marrë urdhra nga z.Kqiku kur ka qenë në punishte, por edhe përmes mesazheve telefonike. Kam pasur rast vdekje dhe kam shkuar gjysmë ore apo 1 orë në ditë në punishte në atë kohë janë përfunduar të gjitha rrugët”, deklaroi i akuzuari Shpend Kelmendi.

Në cilën fazë ke qenë i angazhuar si person përgjegjës i kompanisë “Bas Com” dhe sa ka qenë trashësia e zhavorrit dhe asfaltit, pyeti prokuroria.

“Në momentin kur e kanë sjellë makinerinë kompania ‘Beka Komerc’, ndërsa sa i përket trashësisë ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk më kujtohet”, u përgjigj i akuzuari Kelmendi.

Në seancën kaluar, i akuzuari Emri Sopjani fajin për rrugët ia la gjithashtu Basri Kqikut, duke deklaruar se ishte penduar që ia kishte lënë atij asfaltimin e rrugës në fshatin Kozaricë dhe vazhdimin e asfaltimit në Lagjen Koskovik të fshatit Breznicë të Obiliqit.

http://kallxo.com/biznesmeni-i-akuzuar-arsyetohet-per-tenderin-e-rrugeve/

E akuzuara Hasnije Dushi tha se nuk ka lejuar pagesa për kompaninë pa ardhur rezultatet nga laboratori për asfaltin dhe zhavorrin.

“Unë si mbikëqyrëse nuk kam lejuar asnjë cent t’i paguhet kompanisë deri sa kanë ardhur në mënyrë zyrtare shqyrtimet e zhavorrit dhe asfaltit nga ana e laboratorit. Unë si inxhiniere e infrastrukturës kam konsideruar se janë plotësuar të gjitha kriteret e kontratës”, tha Dushi.

Edhe i akuzuari Altin Preniqi, i cili në atë kohë kishte punuar si zyrtar i prokurimit në Komunën  e Obiliqit, deklaroi në është mbikëqyrur kontrata e rrugëve dhe është kontrolluar edhe nga Komisioni Rregulativ i Prokurimit Publik dhe se ankesa kurrë nuk kishte pasur.

I akuzuari Azem Spanca tha se nuk ka çka të shtojë më tepër, ndërsa tregoi se i qëndron besnik deklarimit të dhënë më parë.

Veprat penale për të cilat akuzohet Kqiku dhe 12 persona tjerë, mes tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Obiliqit Mehmet Krasniqi sipas prokurorisë janë kryer gjatë periudhës kohore 2012-2013 kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë në kohën kur Obiliqin e drejtonte pikërisht Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Kjo prokurori ish-kryetarin e Obiliqit Mehmet Krasniqin, por edhe  Xhavit Krasniqin, Haki Ranin dhe Nazmi Gashin i akuzon se kanë kryer nga dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi nga prokuroria akuzohen se kanë kryer secili veç e veç veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe Basri Kqikun,ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

Më 17 maj do të jepet fjala përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

Këtu mund t’i lexoni shkrimet rreth këtij procesi gjyqësor.