Gërgo Stojiq duke dëshmuar në gjykimin e Ratko Mlladiqit në Hagë - Foto: ICTY

Përballja me Mlladiqin Pasi i Mbijetoi Masakrës

Gërgo Stojiq është e vetmja viktimë e një masakre në kohën e luftës në fshatin boshnjak të Shkërlevita, i cili mbijetoi për të dëshmuar kundër ish komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit të Tribunalit të Hagës.

Gërgo Stojiq mezi pret vendimin e Tribunalit të Hagës për Ratko Mlladiq, i cili është planifikuar për sot, sepse ai i mbijetoi një prej krimeve për të cilin akuzohet ish shefi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Stojiq ishte i vetmi person që u largua gjallë pas të shtënave në masë të cilat ai thotë se ishin kryer nga trupat e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në pyllin Glamosnica në fshatin Shkërlevita pranë Sanski Mostit në Bosnjën Veriperëndimore në vitin 1992.

Ai dëshmoi në gjyqin e Mlladiqit në gjykatën e OKB-së në Hagë dhe shpreson për një dënim.

“Unë dyshoj se ai ka një ndërgjegje normale ose të pastër… Për mua, ai nuk është as njeri”, tha ai për Mlladiqin.

Stojiq tha në një intervistë për BIRN se ai e ka përmbushur “detyrimin moral” të tij duke dëshmuar për prokurorinë në gjykim.

“Pse duhet ta fsheh atë që kam kaluar? Pse të mos them të vërtetën?”, pyeti ai.

Mlladiq akuzohet se është përgjegjës si komandanti i ushtrisë për masakrën më 2 nëntor 1992, kur ushtarët serbë të Bosnjës vranë disa burra në Shkërlevita.

Ai është akuzuar gjithashtu për përgjegjësinë për gjenocid në gjashtë komuna boshnjake duke përfshirë Sanski Mostin në vitin 1992, gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, duke terrorizuar popullatën e Sarajevës, duke marrë peng pjesëtarë të forcave ndërkombëtare dhe duke përndjekur boshnjakët dhe kroatët në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit, Miodrag Stojanoviq ka insistuar që provat tregojnë se ish shefi ushtarak serb i Bosnjës nuk kishte dijeni për krimet kundër njerëzimit dhe vrasjet e joserbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Stojiq kujton se si në ditën e masakrës, ai u kthye në fshatin e tij në Shkërlevita me kushëririn e tij, Dragan Tadiq kur ushtarët serbë të armatosur me pushkë automatike i ndaluan ata.

“Thamë, ‘Mirëdita.’ Ata nuk e kthyen përshëndetjen”, kujton Stojiq.

“Ata na pyetën se nga ishim ne dhe nëse kishim dokumentet tona me vete. Ua dhashë dokumentet e mia dhe Dragan pastaj e bëri të njëjtën gjë. Ai i lexoi ato me zë të lartë dhe na tha të bashkohemi me njerëz të tjerë nga fshati që ishin atje gjithashtu”.

Ai dhe kushëriri i tij Tadiq u larguan pastaj rreth 20 metra më tutje, ku një ushtar po mbante një pushkë drejt fqinjve të tyre Ante Turiq, Josip Banoviq dhe Zharko dhe Petar Nikiq. Ushtarët i goditën dhe i plaçkitën.

“Ne u rreshtuam. Unë isha i pesti në rend. Tadiq ishte duke qëndruar pranë meje”, tha ai.

“Një urdhër u dha më pas: ‘Hapni zjarr!’ Fillimisht ndjeva që unë u qëllova në krahun e majtë dhe më pas u rrëzova… Kur u gjuajt përsëri, unë u qëllova në shpinë dhe në stomak”.

Pas të shtënave, ushtarët ikën, tha ai, dhe u bë e qartë se ai ishte i vetmi që i kishte mbijetuar të shtënave.

Ai arriti të zvarritet në shtëpinë e vëllait të tij në fshat dhe u dërgua në një spital lokal. Pas kësaj ai u transferua në Prijedor dhe pastaj në Banja Llukë, ku iu nënshtrua një operacioni.

Megjithatë, përvoja e tij e hidhur nuk mbaroi.

Disa ditë pas operacionit, Stojiq u transferua nga dhoma e spitalit në një qeli burgu brenda ndërtesës së spitalit.

“Kur u çova para qelisë, pashë disa policë ushtarakë që qëndronin atje. Infermierja i pyeti se ku duhet të më vinte dhe një ushtar i tha: ‘Thjesht hidhe në dysheme'”, tha ai.

“Kur arrita atje pashë fqinjin tim Ivo Nikiq. I thashë: ‘Shih se çfarë na ka ndodhur, edhe pse nuk jemi fajtorë për asgjë. Vetëm se nuk jemi serbë është fajësia jonë e vetme.”

Stojiq tha se ishte poshtëruar, keqtrajtuar dhe rrahur gjatë kohës së paraburgimit të tij. Ai u detyrua të bënte përshëndetjen serbe me tre gishta dhe të këndonte disa këngë nacionaliste.

Pak kohë më vonë, Stojiq dhe fqinji i tij u transferuan nga qelia në një vend tjetër. Në mes të nëntorit të vitit 1992, ai u regjistrua nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe u lirua në Kroaci një muaj më vonë.

Stojiq tha se ai kishte vështirësi për të marrë kujdes të duhur mjekësor në Kroaci për disa muaj dhe më pas u transferua në SHBA në vitin 1994.

Ai jeton tani në Kroaci. Ai ka një vlerësim prej 70 për qind të aftësisë së kufizuar dhe probleme mendore të shkaktuara nga trauma që ai pësoi në vitin 1992.

“Unë jetoj me vëllezërit e mi, të cilët më ndihmojnë… Bëj pak punë, aq sa mundem”, shpjegoi ai.

Ai bën disa punë në fusha, dhe lutet në kishë: “Më bën të vazhdoj … vetëm besimi”.

Stojiq ende viziton fshatin Shkërlevita disa herë në vit, por thotë se nuk është më ai që ishte para luftës.

“Fatkeqësisht, askush nuk jeton në atë fshat (jo më). Është plaçkitur plotësisht dhe është shkatërruar”, tha ai.

“Nuk ka një ndërtesë të vetme të pashkatërruar, përveç faltores në varrezë, e cila duhet të rinovohet. Kjo është e vetmja gjë që ka mbetur. Çfarëdo që ka mbetur, është vjedhur”.