Përballja e Fundit në Gjykimin për Udhëtimin e Shfaqjes Teatrale

Prokurori Feti Tunuzliu dhe mbrojtja e të akuzuarve Elmaze Nura dhe Beqir Beqiri, paraqitën argumentet e tyre përfundimtare në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me udhëtimin e ekipit të shfaqjes “Lisistrata” në Slloveni.

Tunuzliu, në fjalën e tij përfundimtare tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre duke mos respektuar dispozitat e Ligjit të Prokurimit lidhur me përzgjedhjen e kompanisë transportuese për udhëtimin në Slloveni.

“Pretendoj se të akuzuarit kanë vepruar me dashje direkte, të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se shërbimet publike të institucionit në fjalë janë të rregulluara me dispozita ligjore”, tha Tunuzliu.

Prokurori më tutje deklaroi se gjithsesi është synuar transporti i aktorëve të “Lisistratës” drejt Sllovenisë të realizohet duke thyer këto rregulla.

“Megjithatë kanë dëshiruar që ky transport të realizohet jashtë këtyre rregullave duke i dorëzuar tri oferta prej të cilave gjithsesi është dashur të lidhet kontrata me kompaninë ‘Alpina Reisen’, kinse për dallim prej dy ofertuesve të tjera ka qenë më e lirë, ndonëse realisht ka qenë kompani që tradicionalisht ka kryer shërbime të transportit për TKK”, tha Tunuzliu.

Këto pretendime të prokurorit u kundërshtuan nga avokati Tomë Gashi. Ai tha se priste që prokurori të ndërmerte një veprim tjetër.

“Unë kam besuar që prokurori i shtetit pas mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore, do të heqë dorë nga aktakuza në mungesë të provave dhe me këtë do t’ia lehtësojë punën së pari vetvetes si prokurori që të ketë kohë të merret me çështje serioze dhe që të ja lehtësojë punën gjykatës që të gjykojë çështje serioze”, tha Gashi, avokati i Elmaze Nurës.

Pretendimet e prokurorisë u kundërshtuan edhe nga avokati i Beqir Beqirit, Ali Beka.

Elmaze Nura në pozitën e drejtores së Teatrit Kombëtar akuzohet nga prokuroria se nuk i ka respektuar dispozitat e Ligjit të Prokurimit kur është nënshkruar kontratë me kompaninë “Alpina Reisen”, lidhur me transportimin e aktorëve të TKK-së për në Slloveni për shumën prej 5000 mijë eurove.

Po lidhur me këtë udhëtim, Beqir Beqiri akuzohet se pas hetimeve policore dhe kërkesës së dokumentacionit drejtuar në TKK më datën 10 shtator 2015, ka ndërhyrë në dosjen zyrtare duke futur edhe dy oferta të dy kompanive të tjera.

Të dy të akuzuarit janë deklaruar se janë të pafajshëm.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 27 prill.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.