Për Sportdashësit, Pranimi në UEFA Ngjarje Historike

Pranimi i Kosovës në UEFA ka gëzuar tej mase sportdashësit kosovarë. Lajmin për pranimin në familjen evropiane të futbollit ata e cilësojnë ngjarje historike për sportin dhe për Kosovën.

Për ish-futbollistin e Prishtinës, Fatmir Namani, kjo ngjarje është një prej më të rëndësishmeve për Kosovën.

“Unë mundem me thënë lirisht se nuk kam koment, nuk kam fjalë, jam shumë i emocionuar. Vetëm urime Fadil Vokrrit dhe gjithë Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë”, tha Namani.

Enver Visoka, sportdashës, foli për emocionet e tij në momentin kur u mor vendimi për pranimin e futbollit kosovar në UEFA.

“Viti 57, që i kam bërë dhe kurrë më i gëzuar nuk kam qenë asnjëherë. E kam pritur me padurim se çka do të vendoset sot. Kemi qenë shumë në emocione”, tha Visoka.

Visoka uron reprezentacionin e Kosovës si dhe kryetarin e Federatës, Fadil Vokrrin, të cilin ai e konsideron hero.

Ndërsa, shahisti Bedri Sadiku tha se pas pranimit në UEFA radha është të pranohemi edhe në FIFA. Ai nuk dyshon se do të pranohemi së shpejti edhe në familjen botërore të futbollit.

“Për mua është shumë e rëndësishme, për Kosovën është një ngjarje historike”, tha ai.

Mes gëzimit dhe emocioneve qytetarët e Prishtinës e kanë mirëpritur anëtarësimin e Kosovës në UEFA.

Kamera e KALLXO.com ka marrë disa deklarata nga kalimtarët e rastit në qendër të Prishtinës të cilët kanë folur për përshtypjet e para.

“Shumë mirë kjo është. Edhe ajo tjetra që vjen (liberalizimi i vizave) hala ma mirë. Ecëm në Evropë”, tha një qytetar.

Një i ri tha se pranimi i Kosovës në UEFA është një arritje për njohjen e Kosovës nga vendet të cilat nuk e kanë pranuar.

“Shumë ma mirë. Mundet me arrit diçka edhe Kosova për me njoftë edhe vendet e tjera të cilat nuk e kanë pranuar”, tha një nxënës i shkollës së mesme.

Një qytetar tjetër e sheh kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin si më meritorin për këtë arritje.

“Me thënë të drejtën, më rrodhën lotët e gëzimit, po përmbahem edhe tani. E uroj Kosovën, i uroj futbollistët, dhe futbollisteve dhe Fadil Vokrrit që nëna e kishte lindur që vetëm të na sjell gëzime në situata më të vështira”, tha ai.

UEFA e ka pranuar sot Kosovën si anëtare me të drejta të plota.