Gjykimi për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Për Sigurinë e Dëshmitarëve, të Akuzuarit për Terrorizëm Përjashtohen nga Salla

Në gjykimin e Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit, të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm u dëgjuan tre dëshmitarë: dy zyrtarë policorë dhe një dëshmitar i mbrojtur me emër të koduar.

Paraprakisht, avokatët mbrojtës dhe prokurori Drew Angel elaboruan fjalën hyrëse në gjykatore.

Pothuajse të gjithë avokatët mbrojtës mbetën në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë para trupi gjykues të kaluar, duke shtuar se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë që do të vërtetonte se klientët e tyre kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen lidhur me terrorizëm.

“Prokuroria nuk ka vërtetuar se i mbrojturi im ka qenë i përfshirë apo ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet të grupit sipas prokurorisë, po të ishte e vërtetë një fakt i tillë atëherë do të duhej të përshkruheshin veprime konkrete se cilat kanë qenë detyrat e klientit tim në këtë aktivitet”, tha avokati Nikë Shala, mbrojtësi i të akuzuarit Valon Shala.

Pas fjalës hyrëse, seanca vazhdoi me tre dëshmitarë, Fatmir Bajraktarin, Adnan Omerin, si dhe dëshmitarin e mbrojtur, me emër të koduar “Tafil”.

Prokurori Drew Angel tha se nuk ka pyetje për dy dëshmitarët e parë, kështu duke propozuar që dëshmitë e tyre të dhëna më parë të konstatohen si të lexuara.

Por, avokatët mbrojtës insistuan që të dy dëshmitarët të ftohen dhe të jenë prezentë në gjykatore, me qëllim që të akuzuarit të kenë mundësinë e ballafaqimit me dëshmitarë.

Pas kësaj kërkese të avokatëve, prokurori e mori fjalën edhe njëherë, duke kërkuar që të akuzuarit të mos ua shohin fytyrën dy dëshmitarëve.

“Është qenësore që mbrojtja të ketë mundësi që të ballafaqohet me ta, por ata nuk kanë nevojë që t’i shohin, t’ua njohin zërat, por masat mbrojtëse janë të nevojshme për shkak të frikës, për shkak të kërcënimeve që kanë ndodhur në këtë rast. Ne i kujtojmë gjykatës që disa ditë pas arrestimit të këtyre të akuzuarve, zyrtarët policorë kanë marrë kërcënime anonime të cilat nuk kanë mundur të gjurmohen. Kërcënime të ngjashme janë përsëritur edhe disa javë më vonë”, tha prokurori Angel.

Më pas, reagoi anëtari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, i cili tha se dëshmitarët që mbajnë cilësinë e personit zyrtar policor, vetëm se dihen me emra dhe mbiemra, me ç‘ rast edhe nuk konsiderohen si dëshmitarë të mbrojtur.

“Nuk po e kuptoj faktin se pse të akuzuarit duhet t’i shohin ata, përveç faktorit të frikësimit. Prapë se prapë ata mund t’i marrin në pyetje”, reagoi përsëri prokurori Angel.

Më pas reaguan edhe avokatët e të akuzuarve, të cilët thanë se nuk paraqitet rrezik për dëshmitarët, pasi që ky grup nuk është terrorist.

Lidhur me çështjen e kërcënimeve të lartpërmendura nga prokurori, reagoi edhe avokati i Nuredin Sylejmanit, Bekim Kafexholli.

Nuk është dashur të përmendet sepse është paragjykuese. Derisa nuk u përmend ndonjëri nga të akuzuarit, nuk po e kuptoj relevancën se pse duhet të përmendet”, tha Kafexholli.

Pas kësaj, prokurori Angel dha edhe një detaj tjetër nga kërcënimet në fjalë, duke thënë se kërcënimet kundrejt këtyre dy dëshmitarëve, njëherit zyrtarëve policorë, janë gjurmuar.

“Sipas adresës së IT- së ka dalë që janë bërë nga dikush në Gjilan, prej ku edhe vijnë të pandehurit”, shtoi prokurori.

Lidhur me këtë kërkesë, trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit mori vendim që të aprovohet propozimi i prokurorit special, ashtu që nga salla përkohësisht u larguan të akuzuarit dhe publiku.

Të akuzuarit qëndruan jashtë deri sa u dëgjuan dëshmitarët në fjalë, Fatmir Bajraktari dhe Adnan Omeri.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.