Pamje nga seanca e fundit e gjykimit për vrasjen në "Bon Vivant" -Foto: KALLXO.com

Për Sharjet në Rastin 'Bon Vivant' Njoftohet OAK

Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një shkrese ka njoftuar Odën e Avokatëve të Kosovës për ngjarjet që ndodhën në seancën e 7 shkurtit në rastin e njohur si “Bon Vivant”, ku avokati Haxhi Millaku denoncoi kolegun e tij Ramiz Krasniqi për përdorim të shprehjeve fyese ndaj tij gjatë zhvillimit të seancës.

Gjatë seancës së këtij rasti, avokati Millaku e njoftoi kryetaren e trupit gjykues, Syzana Qerkini, se avokati Ramiz Krasniqi i ishte drejtuar me fjalë fyese.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se sa i përket këtij rasti sot është njoftuar Oda e Avokatëve të Kosovës nga gjyqtarja e çështjes”, tha Gashi.

Avokati, Krasniqi mohoi në seancë të ketë fyer në ndonjë formë avokatin Millaku, duke e quajtur të pavërtetë pohimin e tij.

Lidhur me sharjet dhe ofendimet në seancën e rastit “Bon Vivant”, KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme.

http://kallxo.com/sharje-e-fyerje-ne-gjykimin-per-vrasjen-ne-bon-vivant/

Në këtë rast gjyqësor, avokati Haxhi Millaku mbron të akuzuarin Sherif Krasniqi, kurse Ramiz Krasniqi mbron Masar Gërdovcin.

Krasniqi e Gërdovci po gjykohen për vrasjen e Rrahman Ukës, roje e lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor 2014.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor. Të gjitha raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Redaktoi: Naser Sertolli