Ilustrimi: Flickr

Për Premtimin si Rrenë dhe Lajmin si Fakt

Një kryetari të një komune në Kosovë i ka marrë “myk” një premtim për ta bërë komunën që e drejton tash e tri mandate me një stacion të autobusëve.

Shtatë vjet pas atij premtimi, banorët e Shtimes nuk kanë qoftë një kabinë të thjeshtë prej llastre në vendin e improvizuar si stacion ku udhëtarët lagen në shi e thahen në diell.

Dhjetëra kilometra më tej, në Gjilan, lumi “Mirusha” vazhdon edhe më tej t’i bartë ujërat e zeza në mënyrë aq transparente karshi syrit dhe shqisave të shijimit të qytetarëve dhe vizitorëve që i bien trup qendrës së qytetit.

Kushdo që ka synuar ta marrë drejtimin e kësaj komune, trajtimin e ujërave të këtij lumi e ka pasur në top- listë të premtimeve. Gjilani i ka ndërruar kryetarët e komunës goxha shpesh, por ngjyra e ujit që bart shtrati i këtij lumi ka mbetur e njëjtë.

Këtej kah qendra, kryeministri aktual luan me shifrat e përqindjes së papunësisë dhe njëjtë sikur Presidenti që kur ishte kryeministër luante me qindra- milionat e investimeve nëpër komuna.

Njëjtë sikur edhe strukturat paralele të financuara dhe mbështetura nga Serbia janë shuar njëqind herë dhe janë ringritur njëqind-e-një herë për t’u ofruar edhe më tej shërbime serbëve nëpër vendbanimet e tyre nëpër Kosovë, pavarësisht mbi gjysmë milioni euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit deri më tani për bisedimet në Bruksel për t’i shuar ato njëherë e përgjithmonë.

Krejt këta shembuj janë dhënë për të parë që e vërteta në teren mund të qëndrojë ndryshe nga ajo që mund të trumbetohet nga politikanët në një ditë të mirë të tyre për të lëshuar deklarata që shënjestër e kanë opinionin që i konsumon ato.

Zgjerimi i internetit në Kosovës e ka bërë lexuesin si kurrë më parë të jetë më afër lajmit. Por si kurrë më parë edhe afër lajmit të rremë.

Si një shoqëri që deri para 20 viteve lajmi ka qenë produkti më deficitar, tani opinioni duket i prirur të besojë në gjithçka që i servohet nga turlifar sajti.

Prandaj verifikimi i fakteve për deklaratat e dhëna është bërë kërkesë e kohës.

Verifikimi i fakteve nuk është se përbën diçka të veçantë në krahasim me gazetarinë tradicionale. Vetëm se kërkon një fokusim në dëshmitë që janë prezente dhe që mund ta rrëzojnë pretendimin e dhënë.

Verifikuesit e fakteve anembanë botës e kanë një ditë të tyre jubilare.

Sot, më 2 prill, i bie Dita Ndërkombëtare e Verifikuesve të Fakteve.

“Mos lejo të të bëjnë budallë: Faktet çojnë peshë”, është motoja me të cilën ata që i kanë hyrë kësaj pune.

Kjo ditë është promovuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve në Institutin Poynter në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në partneritet me organizatat e verifikimit të fakteve nga mbarë bota, pjesë e të cilës është edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra në Kosovë dhe Internews Kosova përmes platformës për raportimin e korrupsionit KALLXO.com.

Që nga fundi i vitit të kaluar, KALLXO.com ka lëshuar në aplikim edhe produktin më të ri, të parin në Kosovë, për verifikimin e fakteve që të cilit ia kemi dhënë një titull aq popullor, KRYPOMETËR.

Brenda kësaj periudhe, mbi 30 deklarata publike kanë hyrë në skaner të hulumtuesve të KALLXO.com për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit të fakteve.

Ka dalë që liderët na krypin me rrena duke filluar nga punësimi që përbën pikën më të ndjeshme që e prek elektoratin, e deri te çështjet e natyrës politike.

Ekspansioni i portaleve dhe komunikimi gjithnjë e më i shtuar i drejtuesve të institucioneve me publikun përmes postimeve në rrjetet sociale e bën Kosovën si një vend në të cilin do të ketë nevojë gjithnjë e më shumë për verifikuesit e fakteve.

Krejt këto bëjnë që në ditët e sotme, lajm të mos jetë ajo që e thotë një bartës institucioni apo zyrtar tjetër shtetëror.

Nevoja e kërkon që deklarata e dhënë të merret me rezervë, deri në vërtetimin e vërtetësisë së saj.

Sa më shumë verifikime të tilla të ketë, aq më shumë mund edhe politikanët të përfitojnë nga to.

Verifikimi i fakteve mund t’i bëjë ata që në të ardhmen të jenë më të matur në deklaratat e tyre publike, sidomos në premtimet që i bëjnë gjatë fushatave.

Paramendojeni brigadën e kandidatëve për kryetarë komunash në garën e tyre për votat. Premtimet e tyre janë të gjitha subjekt për t’iu nënshtruar verifikimit të fakteve në muajt dhe vitet gjatë kryerjes së mandatit.

Premtime, si gjithmonë, do të ketë me bollëk.

Të tilla që, kur ata ta zënë karrigen e butë të kryetarit të komunës, humbin në atë detin që qëndron mes të thënës në të bërë.