Për Postin e Selimit Vendoset në Mbledhjen e Radhës

Selimi i kishte kërkuar sqarim Agjencisë Kundër Korrupsionit se a mund të mbante njëkohësisht postin e zëvendësministrit në MPJ dhe atë të koordinatorit kombëtar në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit, por AKK-ja në vendimin e saj i sugjeroi Selimit që të heqë dorë nga njëra pozitë, pasi ndodhej në konflikt interesi.

Qeveria e emëroi Selimin drejtues të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit në mbledhjen e 88-të të saj, ndërsa vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit e komentoi edhe në mbledhjen e sotme Kryeministri Isa Mustafa, kur diskutohej për çështje të ndryshme.

Kryeministri kërkoi që të mos politizohet çështja e zgjedhjes së Selimit në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Ka fillu me u politizu çështja e koordinatorit të MCC-së dhe se konform Agjencisë Kundër Korrupsionit do ta marrin vendimin në mbledhjen tjetër,” tha Mustafa.

Ai bëri të ditur se procesi për Selimin në krye të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit është zhvilluar në harmoni të palëve.

Kur Selimi u zgjodh në këtë post në fillim të qershorit, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi se lënia e kësaj zyre nën drejtimin e Selimit nuk e garanton pavarësinë e shpërndarjes së fondeve nga Organizata Qeveritare Amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Isa Mustafa, Post Publik Drejtorit të Biznesit Ku Është Aksionar