Foto RTV 21

Për Kosovën Festohet edhe në Shkup

Nën patronazhin e kreut të BDI-së, dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës u shënua edhe në Shkup.

Ahmeti u bëri thirrje institucioneve që ta shtojnë bashkëpunimin, sepse siç tha ai, dikur i kemi pasur duart në pranga, kurse tani i kemi të lira që të intensifikojmë bashkëpunimin ne sferën e arsimit, kulturës e shëndetësisë.

Shënimi i ditës së pavarësisë së Kosovës ishte i pakuptueshëm për disa gazetarë, të cilët pyetën Ahmetin se si është e mundur që pavarësia e një shteti tjetër të shënohet në mes të Shkupit.

“Kosova shqiptarët e Maqedonisë i ka shkolluar, sepse këtu shkollimi ishte i ndaluar. Unë që bëj këtë manifestim jam i torturuar dhe i rrahur nga organet e UDB-së së asaj kohe vetëm pse kam kërkuar shkollimin në gjuhën amtare këtu në shtetin tim. Nëse juve ju duket e pabesueshme, hyni dhe shihni arkivat e shtetit, Jovan e ka pasur emrin torturuesi im”, u prgjigj Ahmeti, shkruan tv21.tv.

Ahmeti theksoi se ka një konsideratë të veçantë për Kryengritjen e Ilindenit dhe për ditën e pavarësisë së Maqedonisë, por nuk ka qenë i pranishëm sepse nuk ka pasur ftesë.

Nga ana tjetër ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, tha se numri i madh i marrëveshjeve bilaterale me Maqedoninë është dëshmi për bashkëpunimin e mirë në mes dy shteteve.

Ai e lartësoi kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë për çlirimin e Kosovës.

“Është e rrallë që në fakt më shumë një ambasador i një vendi duhet t’u urojë nikoqirëve për pavarësinë, sesa që ia urojnë atij. Kjo pavarësi as nuk do të arrihej, as nuk do të kishte kuptim pa ju. Pa sakrificën e gjeneratës tuaj. Nuk është fer të numërohen vetëm 10 vjet, nuk është matematikë fer. Ka shumë 10 vjeçarë para këtij 10 vjeçari në të cilët gjenerata si ju keni sakrifikuar, jeni solidarizuar, jeni mishëruar me atë që quhet çështje e Kosovës. Kosova nuk do ishte e pavarur pa ju, por është e pavarur për ju”, tha Hysa.

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 116 shtete, kurse ambasadori kosovar është i mendimit se realitetin e ri ngadalë po e kupton edhe Beogradi.