Pamje nga debati për transparencën rreth dialogut të Brukselit në raport me mediat - Foto: KALLXO.com

Për Informim Korrekt, Gazetarëve u Duhet Transparencë

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit në dialogun e Brukselit nuk po tregojnë transparencë dhe kjo ndikon që mediat ta informojnë publikun në mënyrë jokorrekte ose gjysmake.

Kështu u tha në debatin e organizuar nga OJQ-ja “New social initiatives” së bashku me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, i cili u mbajt në Mitrovicën Veriore.

Panelistë në këtë debat ishin Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Zhelko Tvrdishiq nga radio “Kontakt Plus”, Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në debat u konstatua se procesi i Brukselit ishte jotransparent për mediat dhe se gazetarët janë ballafaquar dhe ende ballafaqohen me një qasje të kufizuar rreth këtij dialogu.

Sipas organizatorëve të këtij debati, ky është një aktivitet i cili është organizuar  në lidhje me pjesëmarrjen e mediave dhe shoqërisë civile në procesin e Brukselit.

Debate të ngjashme në javët e ardhshme do të mbahen në Leposaviq dhe Prishtinë.