Gjykimi për vrasjen në tentativë | Foto: KALLXO.com

Pendohen të Akuzuarit për Vrasje në Tentativë

Drilon Azemi e Jeton Gashi pranuan fajësinë për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Drilon Azemi dhe Jeton Gashi të cilët po akuzohen si pjesëmarrës në kryerjen e vrasjes në tentativë në dhjetorin e vitit të kaluar në seancën e dytë  kërkuan nga kryetarja e trupit gjykues që të mund të deklarohen edhe njëherë rreth fajësisë së tyre.

Në dhjetor të vitit të kaluar nga të shtënat me armë automatike lëndime të rënda trupore mori Butrint Reçica.

Drilon Azemi, i akuzuari për të shtënat që plagosën Reçicën, tha se është penduar.

“Jam penduar thellë për kryerjen e kësaj vepre penale dhe i premtoj gjykatës që kurrë më nuk do të bie ndesh me ligjin”, deklaroi Drilon Azemi.

Edhe Jeton Gashi deklaroi se e pranon fajësinë dhe ndjehet thellë i penduar.

Pas pendimit dhe pranimit të fajësisë nga të akuzuarit, avokatët e tyre kërkuan që këto rrethana të merren si lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit.

“Konsideroj që këto rrethana të kësaj natyre mundësojnë aplikimin e dispozitave për zbutje të dënimit, andaj i kërkoj gjykatës që të mbrojturit tim të i shqiptohet një dënim sa më i butë dhe sa më i favorshëm”, deklaroi avokati Mentor Neziri.

Ferit Sinidolli që nga prokuroria akuzohet për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, tha se është fajtor vetëm për posedim të paautorizuar të armëve ndërsa për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Drilon Azemi në  dhjetor të vitit të kaluar në Rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta personin tjetër.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me tani dëshmitarin Deniz Torbanqe, i akuzuari Drilon Azemi përmes telefonit e kishte ftuar tashmë të akuzuarin tjetër Jeton Gashin që ky t’ia bëjë një shërbim me veturë.

Në aktakuzë tregohet se Jeton Gashi pastaj shkoi me veturën e tij te shtëpia e Drilon Azemit, i cili doli nga shtëpia me një çantë krahu dhe i tha Jetonit që të vazhdojnë drejt qendrës tregtare “Jambo”, ku Driloni bleu dy palë doreza dhe dy maska të zeza.

Drilon Azemi më tutje i kërkoi Jeton Gashit dërgimin me makinë te Banesat e Arabëve në Rrugën “Ymer Aliu” ku banon tash dëshmitari Deniz Torbanqe, ndërsa sipas aktakuzës pasi i identifikon Torbanqen dhe Rinor Grajçevcin me të cilët kishte mpsmarrëveshje, qëlloi drejt tyre.

“Drilon Azemi e sheh të ndalur veturën e Deniz Torbanqes , i identifikon dëshmitarët Deniz Torbanqe dhe Rinor Grajçevci me të cilët më parë kishte pasur mosmarrëveshje dhe pasi që arrin paralel me veturën e Denizit, Driloni e hap xhamin e dritares së veturës dhe nga çanta e nxjerrë një automatik të cilin më parë e kishte përgatitur në gjendje gatishmërie për të shtënë”, thuhet në aktakuzë.

Më tutje në aktakuzë përshkruhet mënyra se si u plagos i dëmtuari Butrint Reçica, i cili ishte në makinë me Deniz Torbanqen dhe Rinor Grajçevcin.

Drilon Azemi ka shtënë disa herë në drejtim të pjesës së parë të veturës, ku nga këto të shtëna katër predha e kanë goditur Butrint Reçicën, i cili ka pësuar dëmtime të rënda trupore, sqaron aktakuza.

Azemi përveç për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Jeton Gashi akuzohet për ndihmë Drilon Azemit pas kryerjes së veprës penale, edhe pse nuk ka qenë në dijeni se Driloni është përgatitur për kryerjen e kësaj veproje.

Megjithatë, sipas aktakuzës, pasi Drilon Azemi ka qëlluar me armë, Jeton Gashi me dashje e ka ndihmuar për të ikur nga vendi i ngjarjes duke e drejtuar veturën e tij me shpejtësi të madhe.

Ferit Sinidolli akuzohet se një ditë pas të shtënave të Drilon Azemit që plagosën Butrint Reçicën, kishte shkuar për t’i marrë dy të akuzuarit në Hotelin “Tirana” në Prishtinë, pasi kishte biseduar me ta në telefon, me qëllimin që t’i largonte në drejtim të panjohur.

Por Sinidolli nuk kishte arritur ta bënte këtë ngase, sepse policia i kishte ndaluar dhe arrestuar tash të akuzuarit.

Pas ndalimit nga policia, Sinidollit i është gjetur edhe një armë, prandaj ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Kjo armë besohet se është e Drilon Azemit.

Azemi që nga dhjetori i vitit të kaluar po mbahet në paraburgim, ndërsa Jeton Gashit gjyqtarja Nora Bllaca në seancën e kaluar ia ndërpreu arrestin shtëpiak.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 maj.

KALLXO.com e ndoqi edhe seancën fillestare të këtij gjykimi.

http://kallxo.com/mbahet-seanca-fillestare-per-vrasjen-e-rende-ne-tentative/