Pendime dhe Arsyetime për Shkuarjen në Siri

Disa nga të akuzuarit për terrorizëm thanë në gjykatë se u penduan që kanë qenë në Siri, e disa të tjerë thanë se ishin, por shkuan të ndihmojnë popullin sirian të luftojë kundër diktatorit Bashar Al-Asad, e jo të luftojnë për organizata terroriste, e dikush tha se rrugëtimi i tij nuk shkoi asnjëherë më larg se në Turqi.

Ndryshe nga ta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Abdurrahim Islami, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen, e si prova përmendi transkriptet e mesazheve telefonike.

Të gjitha këto pretendime u thanë në rastin ku të akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm janë 10 persona, 5 prej të cilëve e kanë pranuar fajësinë, 1 është arratisur, ndaj njërit kanë pushuar hetimet, ndërsa 3 janë deklaruar të pafajshëm.

Avokatja, Labinota Qosa-Ilazi, që mbron Emri Bushin, tha se i mbrojturi i saj asnjëherë nuk ka qenë pjesë e ndonjë organizate terroriste, ndërsa në Siri ka luftuar për një grup opozitar.

Qosa-Ilazi pati vërejtje edhe në aktakuzë dhe në fjalën përfundimtare të prokurorit.

“Prokuroria edhe njëherë në fund të këtij procesi gjyqësor  e dëshmoi se aktakuza e ngritur nuk është e bazuar në prova dhe se prokuroria nuk e ka marrë mundin t’i analizojë në detaje provat që i kemi dorëzuar në CD dhe janë administruar në gjykatë”, tha Qosa-Ilazi.

Qosa-Ilazi tha se me këtë aktakuzë është shkelur parimi i ligjshmërisë në procedurë penale pasi që Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Luftërat e Huaja ka hyrë në fuqi pasi që i mbrojturi i saj është kthyer në Kosovë.

Aktakuzën e kundërshtuan edhe dy avokatët tjerë, Adem Ademi dhe Arben Geci që mbrojnë Fitim Demën përkatësisht Fisnik Bushin, të dy të deklaruar të pafajshëm.

Avokati Ademi tha se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ka qenë më larg se qyteti Kilis i Turqisë ku, sipas tij, ka shprehur humanitetin e tij duke i ndihmuar refugjatët sirianë.

Të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Ernest Beqiri, Fidan Ibrahimi,  Kujtim Bllaca, Vehbi Gerxhaliu kanë pranuar fajësinë në faza të mëhershme të procedurës, ndërsa kërkuan nga gjykata që të ketë parasysh pendimin e tyre kur t’i shqiptojë dënimet.

Prokuroria më herët ka hequr dorë nga aktakuza ndaj Kenan Rushitit, ndërsa i akuzuari Irfan Aqifi ndodhet në arrati.

Prokuroria Speciale e Kosovës më datën 7 maj 2015 ngriti aktakuzë ndaj Irfan Haqifit, Ernest Beqirit, Fidan Ibrahimajt, Kujtim Bllacës, Blerim Sylës, Fitim Demës, Emri Bushit, Vehbi Gërxhaliut dhe Fisnik Bushit.

Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale rekrutim për terrorizëm, ndërsa të tjerët për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Të akuzuarit Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla janë të akuzuar edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Në seancat e mëhershme, gjashtë nga të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë, ndërsa katër të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

Fajësinë e kanë pranuar të akuzuarit  Kujtim Bllaca, Irfan Haqifi, Ernest Beqiri, Fidan Ibërdemaj,  Vehbi Gërxhaliu dhe Blerim Syla.

Të pafajshëm që nga seanca e parë ishin deklaruar Emri Bushi, Fisnik Bushi dhe Fitim Dema.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.