Pejës i Shtohet një Shesh

Qytetit të Pejës po i shtohet edhe një shesh i ri. Sheshi i vogël do të ndërtohet buzë shtratit të Lumbardhit.

Kostoja e sheshit që do të shtrihet nga “Ura e Gurit”, prapa Muzeut dhe rreth lumit të qytetit, është 42 mijë euro.

Projekti po financohet nga Komuna e Pejës dhe organizata zvicerane “Demos”, tha Milot Belegu, inxhinieri mbikëqyrës i punimeve.

“Ky projekt është bashkëpunim me ‘Demos Helvetas’ nga Zvicra bashkë me Komunën e Pejës. Lokacioni është mbrapa Muzeut të qytetit, është një mini-shesh që në të ardhmen mund të lidhet me projektin e “Lumbardhit”. Ky mini-shesh përmban në veti kubëzmin, gjelbërimin dhe ndriçim publik të kësaj hapësire të caktuar”, tha Belegu për KALLXO.com.

Sipas inxhinierit të Komunës, sheshi do të jetë i gatshëm brenda një muaji dhe në të pa asnjë problem do të kenë qasje edhe personat me aftësi të kufizuara.

KALLXO.com disa herë ka shkruar për shkatërrimin e pllakave të sheshit kryesor të qytetit të Pejës.

Sivjet autoritetet komunale deklaruan se nuk kanë ndarë buxhet për riparimin e sheshit kryesor, pllakat e të cilit janë dëmtuar në masë të madhe.

http://kallxo.com/pllakat-e-persheshta-te-sheshit-ne-peje-zevendesohen-me-te-reja/

http://kallxo.com/prape-persheshen-pllakat-e-pejes/