Peja me Projekt për Ujërat e Zeza, pa Para për Zbatim

Kryetari i komunës Gazmend Muhaxheri, që e paraqiti mbrojtjen e ambientit si prioritet të komunës, gjatë prezantimit tha se për ndërtimin e dy impianteve për ujërat e zeza në Rugovë dhe Trestenik të Pejës duhen 10 milionë euro.

“Njëri është impianti për pastrimin e ujërave të zeza në Rugovë dhe tjetër impianti për pastrimin e ujërave të zeza duhet ndërtohet në fshatin Trestenik , mirëpo mbulon një pjesë të madhe territorit që ka qenë i pambuluar,” tha Muhaxheri.

Por ai tha se komuna ende nuk e ka të sigurt financimin e këtyre dy projekteve.

“Për ndërtimin e këtyre dy impianteve komuna e Pejës o duhet të hyjë në ndonjë kredi, sepse 10 milionë euro nuk mund t’i investojmë”, shtoi Muhaxheri.

Inxhinieri Alessio Zangellini tha se projekti i impiantit të ujërave të zeza në Trastenik është paraparë të ndërtohet afër zonës administrative me komunën e Istogut dhe do jetë në shërbim për 20 mijë banorë të fshatrave përreth.

Ndërsa, për impiantin e ujërave të zeza që parashihet të ndërtohet në Kuçishtë të Rugovës tha se do jetë në shërbim për 15 mijë banorë të fshatrave të epërme të asaj zone.

Impianti në Kuçishtë për dallim nga ai në Trestenik do jetë i mbyllur dhe do të trajtojë edhe kundërmimin e erërave, tha inxhinieri italian para shumë qytetarëve të Pejës.

Në tetor të vitit të kaluar Komuna e Pejës bashkë me qeverinë Gjermane dhe Zvicrane nënshkroi financimin e projektit prej 25 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza.

http://kallxo.com/peja-nenshkruan-projekt-25-milionesh/

Por me ketë projekt nuk parashihej trajtimi i ujërave të zeza në Rugovë dhe Trestenik.