PDK nuk Ruan Votën as në Vendlindjen e Kryetarit

Në Mitrovicë PDK-ja para tre vjetësh fitoi dukshëm më shumë vota sesa në zgjedhjet e 11 qershorit, edhe pse këtë radhë garoi bashkë me AAK-në e Nismën.

PAN në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 ka marrë 9 mijë e 758 vota. Në vitin 2014, PDK e vetme kishte marrë 13 mijë e 102 vota. Nëse votave të para tre vjetëve u shtohen edhe ato që atëherë i fitoi AAK-ja e Nisma, këto tri parti në 2014-ën fituan 14 mijë e 401 vota në Mitrovicë.

Nga krahasimi i votave në 2017-ën dhe 2014-ën del se tri partitë që lidhën koalicion parazgjedhor sivjet fituan 4 mijë e 463 vota më pak.

Ndryshe qëndron puna me Vetëvendosjen në Mitrovicë. Ky subjekt ka dyfishuar votat në këtë qytet. Nga 4 mijë e 355 në zgjedhjet e kaluara, ka arritur t’i marrë 9 mijë e 668 në këto zgjedhje, duke shtuar votat për 5 mijë e 313.

LDK e vetme në zgjedhjet e kaluara, kishte marrë afërisht vota sa ka marrë tash me AKR-në.

LDK-AKR kanë mbledhur 6 mijë e 184 vota në këto zgjedhje, ndërsa në zgjedhjet e kaluara vetëm LDK kishte 6 mijë e 377.

Bashkë me AKR-në, në zgjedhjet e kaluara LDK kishte 8 mijë e 665 vota, ose 2 mijë e 481 vota më pak se kësaj here.

Zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan më 11 qershor, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit patën 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kishin të drejtë vote për herë të parë ishin 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë pastruar nga 33 mijë e 542 persona.

Zgjedhjet u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.