Enver Hoxhaj në konferencë | Foto: KALLXO.com

PDK: Koha që të Ratifikohet Demarkacioni

Teksa foli rreth deklaratës për demarkacionin mes presidentëve të Kosovës e Malit të Zi, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj kërkoi që të ratifikohet marrëveshja për përcaktimin e kufirit me këtë shtet.

“Mendoj se është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta votojë marrëveshjen pas arritjes së kësaj deklarate të përbashkët që qytetarët të lëvizin pa viza nëpër vendet Schengen”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj nuk u përgjigj nëse sot Kuvendi do të zhvillojë seancë për marrëveshjen e demarkacionit.

“Mendoj që kjo është temë e cila i takon kryetarit të Kuvendit dhe koalicionit, por edhe opozitës që kur dëshirojnë të ratifikojnë marrëveshjen”, tha Hoxhaj.

Në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen dhe më pas një grup i përbashkët punues mund të korrigjojë vijën kufitare në sektorët e Çakorrit dhe Zhlepit.

“Çakorri dhe Zhlepi janë dy pika që duhet të rishikohen dhe mendoj se me këtë qasje mund të lëvizim sa ma herët në Kuvend”, tha Hoxhaj, duke treguar se nuk dëshiron t’u tregojë deputetëve si ta lexojnë këtë dokument.