PDK: ‘Klani i Molotovit’ dhe ‘Vjedhësit e Votave’ Kanë Kapur Institucionet e Pavarura

Dega e PDK-së në Prizren reagoi pas vendimit të sotëm të PZAP-së duke akuzuar Vetëvendosjen se ka bërë “kapjen e vërtetë e organeve të pavarura”.

NDËRLIDHUR

PDK ka përdorur inicialet e Vetëvendosjes (VV) në një kuptim tjetër duke i quajtur “Vjedhës të Votave”.

Vendimin e sotëm PZAP e konsideron si vazhdimësi e vendimit të Gjykatës Supreme, që siç thuhet në komunikatë “njëri nga gjykatësit, Erdogan Haxhibeqiri, të gjithë të afërmit e tij, i ka të angazhuar në VV dhe kësisoj i janë vënë në mbrojtje të krimit, lejimit të vjedhjes dhe manipulimit të votave nga VV, ditën e zgjedhjeve me 19 nëntor, për të cilën kemi paraqitur prova dhe fakte konkrete me shkrim dhe video, me të cilat është i njohur  edhe opinioni i gjerë publik”.

Sipas PDK-së, PZAP ka aplikuar “standard të ri” duke mos shqyrtuar provat konkrete të paraqitura nga ta.

“…duke vendosur përkrah keqpërdorimeve të bëra në ditën e zgjedhjeve, ku bartja zig-zag e kutive nëpër klasa nga komisionerët dhe vëzhguesit  e VV-së, është konsideruar si akt normal e që në të vërtetë bie në kundërshtim me të gjitha rregulloret e zgjedhjeve të lira dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

PDK thotë se do të vazhdojë t’i ndjekë “të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike” për zbardhjen e asaj që ajo e quan keqpërdori i verdiktit të qytetarëve.

04 Dhjetor 2017 - 17:30

Erjonë Popova 04/12/2017 - 17:30
NDËRVEPRIMI299